vijon nga pjesa e dytë

HOMERI, në Himnin për Athinën, na e paraqet këtë mit me mjeshtëri dhe të përsosur, dhe na e përshkruan me imtësi përshtypjen e madhe që u bëri të pavdekshmëve të Olimpit.

Në tekstin origjinal greqisht ka një epitet të shpeshtë për Athinën: τριτογενης. Për kuptimin e saj kanë marrë për τριτο si pjesë e parë të fjalës së përbërë atë të τριτων ose të τριτω. Mirëpo del se asnjëri nga shpjegimet e dhëna për këto dy fjalë nuk e kënaq me saktësi përkthimin e dy epiteteve të Athinës. Kështu, fjalori i M.A. BAILLY, me të drejtë shkruan: ka të ngjarë “e lindur nga deti”, ose sipas të lashtëve, ”e lindur pranë liqenit”. Mirëpo ky shpjegim i fundit i të lashtëve nuk duhet të lidhet aspak, siç e thotë fjalori i mësipërm, me Athinën, sepse të lashtët nuk e bënin këtë gabim, pasi ata e dinin gjuhën pellazge, – me përjashtim të disa të huajve, domethënë jo grekë, të cilët të arsimuar dhe të rritur me greqishten, e kanë shkruar dhe e kanë botuar në këtë gjuhë. Mirëpo Τριτο e Τριτογενης dhe τριτογενεια nuk ka asnjë lidhje me: τριτων, τριτωνις etj., sepse kjo është fjala pellazge: ”trutë, që do të thotë ”truri”, dhe prandaj kompozita “τριτογενης” do të përkthehet si: ”e lindur nga truri”, një shprehje kjo që përputhet kështu me kuptimin e dëshiruar.

Sa për fjalën: Παλλαβ, – αδος edhe ajo gjithashtu vjen nga pellazgjishtja: ”pall-ës” = shpikës, me imagjinatë, që koncepton, që ka ide… e prejardhur nga folja pall konceptoj. Ende sot në shqipen ndeshet shprehja e zakonshme: të palli tani? = e kuptove? të ra ndër mend tani? Asnjë nofkë tjetër nuk i shkon më mirë Athinasë.

Louis BENLOEW jep një konfirmim të pastër për etimologjinë tonë të Παλλαβ, kur thotë (La Grèce avant les Grecs, Bot. i Maisonneuve, Paris 1877, f. 177-78), se grekët kanë ndërthurur dhe shkrirë në një vend tipare kaq të ndryshme për Athinën dhe traditat, të huazuara nga raca të huaja, që lidhen me të dhe kanë përftuar tipin e adhuruar të qëndrueshmërisë, kurajës, të aftësisë shpikëse e prodhuese dhe të pastërtisë virgjine, për të cilat hyjnesha e Athinës është shprehja e gjallë ose simbol.

Kulti i Athinasë në Greqi natyrisht shkon në lashtësinë më të madhe, përtej prehistorisë, me pellazgët dhe hyjnitë e tjera të tyre mitologjike. Në pjesën më të madhe të qyteteve greke ishin ngritur tempuj dhe organizoheshin festa për nder të kësaj hyjneshe, që u përkisnin kohëve nga më të lashtat dhe që kishin lidhje të ngushtë me natyrën dhe atributet e Athinasë. Megjithatë pikërisht në Athinë nderohej më shumë hyjnesha, që këtej vinte dhe emri: ”qyteti i Athinasë”, të cilin e mban deri më sot, dhe tempujt e ndryshëm, që athinasit nuk kanë reshtur së ndërtuari për nder të mbrojtëses së tyre të adhuruar, siç janë tempulli i vogël i Athinës fitimtare, Partenoni, kushtuar Virgjënës Athina dhe rindërtuar në epokën e Perikliut mbi themelet e një tempulli të vjetër shumë të lashtë, që e shkatërruan persët; Erekteioni, po ashtu shumë i lashtë, kushtuar Athinës mbrojtëse dhe rindërtuar në epokën e Luftës së Peloponezit dhe mjaft të tjerë.

Ka pasur gjithashtu tempuj të Athinës në Sirakuzë, në Egjinë, në Tegje, në Prienë, në kepin Sunion, ku ende mund të shihet nga larg kolonada sa herë i bihet rrotull këtij kepi., etj.

Athinës i flijoheshin dema dhe mëshqerra, ose mëzatë të marrë nga tufat, por kurrë dhí.

Kafshët që i kushtoheshin si të parapëlqyera ishin kukuvajka për sytë e saj të mëdhenj e të ndritshëm; gjarpri, si simbol i hyjnive të ferrit; këndesi për shpirtin luftarak; stërqoka në Athinë për jetëgjatësinë; simboli i saj ishte ulliri dhe shega.

Demetra ose Ceres

Demetra është një nga hyjneshat e mëdha të Olimpit. Emri i saj (në dorishten: Δαματηρ), sipas një etimologjie që atëherë shumë të lashtë, vjen jo nga greqishtja: γη=tokë, por nga pellazgjishtjadhe=δη=δα=tokë; dhe po ashtu motër=mater=μητηρ=nënë. Kuptimi që i jepnin pellazgët e lashtë fjalësmotër nuk është aspak ai i nënës, por pikërisht ai që i japin ende sot shqiptarët myslimanë bektashinj të Shqipërisë së Jugut, kryesisht të Përmetit, kur i drejtohen, me respektin më të madh, çdo femre, jo doemos të re, por edhe jo fare plakë. Pak a shumë i përgjigjet – por në rastin tonë mungon ideja e mëmësisë – fjalës frënge: ma soeur, kur u drejtohemi fetareve. Kjo ide e veçantë, që ne ia atribuojmë fjalës soeur në rastin e cituar më sipër, na shpjegon evoluimin që ka pësuar kuptimi i fjalës motër në shqipen, e cila nga kuptiminënë, që kishte, ashtu si μητηρ dhe mater, ka ndryshuar në atë të soeur. Në të dy rastet në fjalë, evoluimi ka qenë, pra, i kundërt.

Fakti që Demetra e kishte prejardhjen e kultit të vet nga popullsitë primitive të Thesalisë, shumë kohë para se të bëhej shpërngulja e fiseve greke në Greqi, tregon se ky kult shkon prapa te besimet natyraliste të pellazgëve të lashtë. Natyra e dukshme pellazge e këtij kulti provohet nga legjenda e Lykosit, i biri i mbretit Pandion të Athinës, që emigroi në vendin e tramelëve, të cilëve u dha emrin: Likias, pasi kishte hedhur që më parë në Meseni një shkëlqim të ri mbi misteret e Andanisë.

Apolloni ose Febusi

APOLLONI, një hyjni pellazg i mirëfilltë përqendron në vetvete gjithçka, që natyra dhe konceptimi i pellazgëve mund të prodhonte të bukur e madhështore, dhe gjithçka që vetë raca e tyre mund të krijonte të lartë e të mrekullueshme. Ai është mishërim i dritës vezulluese të qiellit të pellazgëve të ndryshëm të lashtësisë, i bukurisë së natyrës të këtyre viseve pellazge dhe njëkohësisht i përparësive të inteligjencës dhe të ndjenjave të holla të elementit pellazg. Apolloni është hyjnia i mëshirës, i qetësisë shpirtërore dhe i harmonisë më të bukur. Lindja e tij dhe shfaqja në mitologjinë e lashtë pellazge përkon me fillimin e ditëve më të mira për botën e epokës dhe me evoluimin gradual të kësaj bote drejt përparimit; Apolloni dhe qytetërimi pellazg ngjisin së bashku këmbët e shkallës së këtij evoluimi, që i çon drejt majës, ku qytetërimi pellazg, një qytetërim i vjetër i nderuar, nuk do të ketë më tjetër emër, veçse: prehistorik, kretas ose minoik, mikenas, helenik ose grek, etrusk, romak dhe më së fundi, ndonëse nën një tjetër hyjni të re – krishter po aty – të qytetërimit pellazg bizantin.

vijon në pjesën e katërt