Një pikturë që mban një histori më vete. Kjo është Nadége, një grua franceze që vizitoi Kosovën dhe provoi veshjet e nuseve të Kosovës, dimijat.

Piktori shqiptar i cili jeton dhe vepron në Austri, Gazmend Freitag, ka ndarë për herë të parë një histori mjaft të bukur nga jeta e tij.

Një pikturë ku shihet një grua franceze e veshur me veshje tradicionale shqiptare (dimija), në fakt prapa saj qëndron një fotografi e cila e ka inspiruar piktorin.

Artisti kosovar ka qenë në lidhje dashurie me Nadége për 3 vite me radhë (2012 – 2014). Ajo është franceze, ndërsa ka studiuar gjuhën gjermane në Francë, ku pastaj është punësuar si mësuese e gjermanishtes në Linz, Austri ku edhe jeton aktualisht. Përveç punës, në Gjermani Nadége gjeti edhe dashurinë. E pikërisht kjo dashuri e dërgoi në një vend që deri atëherë për të ishte i panjohur, në Kosovën e bukur.

Në vitin 2012, Nadége me vetë dëshirë ka ardhur në Kosovë për pushime verore e shoqëruar nga gruaja e vëllait të piktorit. Në vendlindjen e tij, në fshatin Pataçani i Poshtëm, Nadége qëndroi për disa ditë me radhë ku edhe u njoftua me zakonet shqiptare.

Takimi me prindërit e piktorit dhe vizitat në Kosovë e kanë fascinuar francezen e cila nuk la po i fokusuar këto momente për t’i ruajtur përgjithmonë në fotografi.

Këto qindra fotografi, artistit i kanë shërbyer si baza për të pikturuar motive nga Kosova.

“Nadege ka qenë e fascinuar nga jeta idilike, nga natyra e peizazhet piktoreske. Ndërsa qyteti i Prizrenit i ka mbetur i ngulitur në kokë. Ka fotografuar edhe shkollën e gjimnazit në Prizren, aty ku unë kam përfunduar mësimet e këto fotografi janë bërë bazë për punën time artistike”, ka thënë Freitag për KultPlus. Ai tutje rrëfen se si ishte impresionuar nga gjesti i Nadéges kur e kishte parë të veshur me dimija.

“Ajo e adhuronte gjuhën shqipe, Kosovën, traditat tona, kulturën por edhe kuzhinën shqiptare. Francezja e pati vizituar edhe Kalanë e Prizrenit dhe Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe ka realizuar mbi 500 fotografi.”

Nadége nuk u kthye në Austri duarbosh. Me vete mori tri dhurata për të dashurin e saj. Djepin, fyellin dhe çiftelinë, ndonëse sot i ndarë me Nadégen, piktori i ruan me shumë nostalgji.

“Nadége më pati freskuar kujtimin për vendlindjen që u pat akumuluar mbi 20 vite. Gjithë dashuria ime për atdheun shpërtheu në vepra arti që i krijova nga zemra”, thotë Gazmend Freitag.

Nadége u bë edhe modele për pikturën e titulluar „Baresha“ e që artisti e ka shumë të çmuar.

Arti i tij lidhet ngushtë me Nadégen, andaj piktori nuk e ndau kurrë atë nga jeta e tij artistike.