Pasi ka qenë një nga lojtarët më të mirë, të paktën gjatë dy sezoneve të fundit, në Kategorinë Superiore, Sherif Kallaku do të largohet nga skuadra durrsake.

Futbollisti do ta vazhdojë karrierën e tij në Kroaci, me skuadrën e NK Lokomotiva Zagreb, e cila sezonin e ri do të luajë në Champions League, ndërsa pjesë e saj edhe 5 lojtarë të tjerë shqiptarë.

Mësohet se Teuta do të përfitojë nga ky transferim një shumë prej 150 mijë eurosh, ndërsa do të mbajë në zotërim 10% të kartonit.

Tjetër lajm i mirë vjen për talentin e Skëndërbeut Agon Elezi i cili është transferuar te klubi i famshëm portugez Boavista.

Pas negociatave të ditëve të fundit, palët kanë rënë dakord për kalimin e 19-vjeçarit për një shifër të majme, që korçarët nuk preferojnë ta bëjnë publike pa e zyrtarizuar më parë portugezët. Skënderbeu do të ruajë edhe një përqindje të kartonit të lojtarit, i cili është pjesë e Kombëtares U-21 të Maqedonisë së Veriut.

Elezi ka pasaportën e Maqedonisë së Veriut, por edhe të Shqipërisë dhe në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që të luajë për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit.