Gazetari i njohur italian i “Rai 3” Valerio Cataldi e ka provuar personalisht sulmet e ashpra të qeverisë shqiptare, pasi ai zhvilloi një reportazh mbi narko-trafikun në Shqipëri dhe lidhjet e mafies shqiptare me politikën.

Kritika ishte mjaft e fortë nga kryeministri Edi Rama, që e quajti gënjeshtar.

Përveç kësaj, në adresë të tij u bënë edhe kërcënime nga persona me emra falsë, një prej të cilëve i fliste për “pushkë me dylbi” dhe që “të ruante krahët”.

Gjatë një interviste, ai flet për median në Shqipëri dhe situatën e vështirë në të cilën ajo ndodhet.

Ajo që ai thekson më shumë është se në asnjë vend të botës, përveçse në Shqipëri, nuk ka parë që kryeministri të ketë televizionin e vetë.

Ai deklaroi:

Duke e parë nga jashtë, situata për median shqiptare duhet thënë se është dukshëm e vështirë. Edhe duke folur me kolegët, vërej se është një gjendje e vështirë për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme me politikën, që madje nuk pranon as pyetjet, në njëfarë mënyrë.
Pra, situata është problematike.
Nuk kam parë në asnjë vend një kryeministër që ka TV-në e vet dhe në mënyrë autonome bën komunikimin e vet politik.
Vërtet një gjë që nuk mendoj se ka precedent tjetër. Është e padëgjuar.
Përtej kësaj, ka shumë kolegë shqiptarë që rrezikojnë jetën çdo ditë, kërcënohen çdo ditë nga kriminaliteti që bëhet edhe më i fortë në Shqipëri edhe pse ka përpjekje ta fshehin. Për më tepër që përjetojnë agresionin e vazhdueshëm të politikës”
I pyetur se si e shpjegoni këtë marrëdhënie të kryeministrit me rrjetet sociale dhe me median në përgjithësi Gazetari i “Rai 3” tha se politika shqiptare po e ndrydh informacionin. Ai shton se raste të ngjashme ka edhe në Itali, por jo kaq shqetësuese sa në vendin tonë, ku pabesueshmërisht, kryeministri e ndërton vetë komunikimin publik.

Gazetari shtoi:

Kjo është diçka absolutisht e pabesueshme. Besoj se nuk ka asnjë shembull tjetër në botë të një kryeministri që e ndërton vetë komunikimin politik. Dua të them që përkufizimi i gazetarisë është “qeni i rojës së politikës”.
U krijua për të kontrolluar çfarë ndodh, çfarë politika bën njëfarësoj. Sipas meje mundësia që të jesh i pranishëm, të shikosh, mos të bësh pyetje sepse politika e ndërton vetë informacionet e vet, atëherë do të thotë se ka një ndrydhje totale të domethënies së gazetarisë, Pra ideja është që kemi të bëjmë me një politikë që ndalon, që nuk do që të ketë asnjë lloj kritike e nuk pranon që i bëhen pyetje.
Pra, një qeveri që nuk pranon përballje me shtypin e lirë, që nuk pranon kritikë apo thjesht pyetje nga gazetat që kanë për detyrë që t’i servirin publikut kontradiktat, vështirësitë apo pikat e dobëta të mundshme të politikës, gazetaria është qeni i rojës së politikës dhe nëse politika ndalon kryerjen e këtij roli, do të thotë që nuk ka asnjë dëshirë që të marrë pyetje, të marrë kritika, të ketë një marrëdhënie me shtypin e lirë që është demokratike. Pra të themi që kemi një sjellje të një qeverie totalitare që me demokracinë nuk ka të bëjë fare.”
Lidhur me gazetarët shqiptarë ai shprehet:

Unë besoj se gazetarët shqiptarë kanë vetëdije mjaft të fortë. Ajo që nuk duhet të ndodhë është që ndoshta në njëfarë mënyrë rrjedh si pasojë normale, pra është e kuptueshme që mund të ketë një auto-censurim, pra gazetarët do kërkojnë që të liminojnë dhe evitojnë problemet, pra të evitojnë diskutime jokomode. Kjo nuk duhet bërë.
Por kam njohur shumë kolegë me mjaft vlerë në Shqipëri dhe e di se ka vetëdije dhe vendosmëri për ta çuar përpara punën e tyre dhe të bëjnë edhe aleanca ndërkombëtare që u mundësojnë që të dalin nga izolimi që përndryshe bëhet mbytës. Ky vlen si shembull kudo, vlen në Shqipërinë, vlen në Itali, apo për çdo shtet tjetër.”