Shkruan: Fahri XHARRA

“Po vallë, a e meritonj këtë titull të bukur të çlironjësit që kini mirësinë të më jipni? Lirinë s‘jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa dëgjuat emrin, renttë që të gjithë, më dualtë përpara kush e kush më shpejtë, sikur t‘ishin ngritur nga varret atërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishte zbritë nga qielli vetë Perëndia. Më prittë me aq dashuri dhe gëzim, më sualltë aq shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj sesa unë të lirë ju. Këtë mbretëri, këtë qytet nuk jua dhashë unë, po ju gjeta t‘armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahërore, në ballë, në shpata e në ushtat; si gardjan besnikë t‘emëruar prej tim eti, ja ma vutë mbi krye këtë kunorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë zot të kësaj mbretërije, të cilën ma ruajtët me aq besë, me aqë kujdes, me aq mundime. Shpjermëni tani, me ndihmën e perëndisë, që ta çlirojmë tërë Shqipërinë.”( Skënderbeut në Krujë 28 Nëntor 1443 (simbas tekstit të Barletit përkthye nga Fan Noli) “ Ja pra këto ishin fjalë te çlirimtarit të vërtetë.
“Lirinë s‘jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj.” – fjalët burrërore të Divit të historisë , plotësisht të vetëdijshëm se historia e shpëtimit të atdheut nuk fillon dhe as nuk mbaron me te. Secili e ka hisen e vet.

Skënderbeu :” . Këtë mbretëri, këtë qytet nuk jua dhashë unë, po ju gjeta t‘armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahërore, në ballë, në shpata e në ushtat “ ,sepse ishte ardhur me përkrenare të Pirros ,me lavdet e Aleksandërit të madh. Pra nuk ishte ai i pari !
Gjakova , deshëm apo jo i ka do merita të cilat nuk mund të anashkalohen ; Anton Çetta lindi në Gjakovë më 1920 . Edhe Gjakova është pjesë e një historijeje të madhe të Kosovës por besa edhe më larg , prandaj të shikohet pak ndryshe.

Kur Millosheviqi thoshte : “ Hoçu topove iznad Djakovice “ ( I dua topat e e luftës mbi Gjakovë ) ai e kishte një qëllim të caktuar dhe të parapërgatitur me decenje. Njeriu gjuan së pari aty , nga e di se i vjen rreziku më i madh. Por historia e atdheut ka filluar shumë më herët.

“Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve! (vr. ime).
Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;
E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.
Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, , popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin në dallime.”
“Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” “… në fshatin Sellagrazhdë, famullia Velezhës, komuna e Prizrenit “. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “turbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.

Ja si e përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, fq. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 25-80).
Por me Anton Çetten nuk fillonte historia , edhe ai gjeti në mesin tonë.

Nesër më 3 janar prof. Anton Çetën, gjakovarin e madh, intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin e njohur e pajtuesin e palodhur të gjaqeve, në përvjetorin e lindjes.- do të thoshte Don Lush Gjergji.
“Po sot si ta kujtojmë ? Me një Shtatore të madhe në qendër të Gjakovës. Kur?
Gjakovari Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë. Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.

Gjakovarit Prof. Anton Çeta me një shtatore në Gjakovë. Krenaria e Gjakovës dhe e mbarë shqiptarisë.

“Pajtimin e gjaqeve s‘jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj.”

Gjakova e do hisen e saj të historisë me një Shtatore të madhe në qendër të Gjakovës.