Para se vërtetës të gjithë janë të barabartë! S’ka të mëdhenj dhe të vegjël para së vërtetës! S’ka komplekse, inferioriteti, superioriteti! Para të vërtetës të gjithë janë të barabartë! Po për fat të keq, paragjykimi i kërrusë njerëzit, disa i verbon, disa i turbullon mendjen, e disa i kthen në skllevër të urryer! Loja me paragjykimet është një lojë tinzare, ndoshta më tinzarja sepse loz me dyshimin, djallëzinë, dobësinë njerëzore, cinizmin, hipokrizinë, miopinë, lirinë. Lojë provokative, lojë nervash, lojë djajsh! Paragjykimi shpërqendron, ngatërron, mjegullon, pengon, e shmang vëmendjen, syrin, shikimin nga objekti tek hija, nga drita tek errësira, nga ajo që duket qartë në dritën e diellit tek ajo që fshihet pas asgjësë, pas së padukshmes, nga rruga tek humnera! Dhe kështu i shtyn të tjerët drejt asgjës, drejt greminës dhe kënaqet kur njerëzit greminosen, thyejnë qafën, fundosen në humnerë.

Paragjykimet dhe provokimet shkojnë krah për krah, paragjykimet helmojnë shpirtin, provokimet kafshojnë, provokatorët nxjerrin gjuhën dhe përqeshin, përtallin, përgojojnë, përdhosin të vërtetën, dëlirësinë, pafajësinë. Zoti është e vërteta dhe para Zotit të gjithë janë të barabartë! Por djallushët provokatorë s’ndalen, zgërdhihen, përqeshin, nxjerrin gjuhën e hollë si gjuhë gjarpri dhe pështyjnë, nxjerrin shkumë, jargë, helm, vrer. Për këtë paguhen, këtë detyrë kanë! Të vënë çdo gjë në dyshim, të zhvlerësojnë çdo të vërtetë, të rrafshojnë, relativizojnë, minimizojnë, shuajnë, shfarosin, vrasin derisa të krijohet kaosi, lluca, bataku, ku çdo gjë baltoset, leroset, përdhoset, medet medet, oiiija vajtuese, fundosëse, kobi! Provokatorët thonë: ti s’je ti! Kjo s’është koka jote, syri yt, dora jote, gjuri yt, pëllëmba jote! Ti s’je ti! Ti as ke ekzistuar, e as do të ekzistosh ndonjëherë! Ti do të ekzistosh vetëm atëherë kur të dua unë, vetëm po të them unë!

Provokatorët thonë ti s’ke gjuhë, ti s’ke eshtra, ti s’ke gjak, ti s’ke histori, ti s’ke kujtime! Ti je tokë e askujt, qiell i zbrazët! Ti s’ke shpirt, ti s’ke të drejtë të flasësh! Kështu thonë provokatorët! Ti s’ke të drejtë as të besosh, te vetja, te zotat, te perënditë, se ti je pa perëndi, pa zota, pa shenjtorë, pa engjëj, pa flatra! Ti je mishërim i së keqes, i shëmtisë, egërsisë, kaosit, territ, poshtërsisë, ti je tokë e nëmur, mallkim ti je! Kështu thonë provokatorët! Ti s’ke të drejtë të mendosh, të ndjesh, të ngresh zërin, të shikosh botën, yjet, malet, tokën, detin, fushat, lumenjtë, mjegullën, shiun, pyjet, pemët, grurin, fëmijët, veten, jo! Kështu thonë provokatorët! Ty të gënjejnë sytë, të të gënjen mendja! Ti shikon vetëm ëndrra, madje as ëndrra, ti shikon vetëm gjëndra, zhgjëndra, aluçinacione, fantazma, lajthime! Ti je një i çmendur, ja çfarë je ti, një i lajthitur je! Kështu thonë provokatorët! Vallë mos duhet t’ju marrim leje për të jetuar, për të ardhur në jetë? Mos vallë ju kemi borxhe që s’i dimë? Vallë kemi bërë faje, krime a kërkojmë diçka që s’na takon? Gjuha shqipe është shpirti ynë, fjalët shqipe janë gjaku jonë! Gjuhën tonë s’e shpikën ca filologë të rrjedhur, gjuha shqipe nuk u ngjiz epruvetave të laboratorëve ku bëhen eksperimente shkencore! Gjuha jonë s’është krijesë e mendjeve të sëmura, as e mendjeve gjeniale! Gjuha shqipe është vepër e zotave, vepër e perëndive!

Gjuha shqipe është shpirti ynë, fjalët shqipe janë gjaku ynë! Fjalët shqipe i bekoi perëndia, i latoi natyra, i lartësoi koha! Gjuha shqipe është kënga e natyrës, kënga e erës, kënga e qiellit, shushurima e pyllit, e zjarrit, e shiut, e burimit, e lumit, fërfëllima e yllit, e flakës së zjarrit, është jehona e detit, e furtunës, e gjëmimit! Nga shekulli në shekull, nga zemra në zemër, nga brezi në brez! Fjalët shqipe hyn dhe dolën nga shpirti në shpirt, nga mëma te biri, nga ati te vasha, derisa u shenjtëruan, derisa u bënë shpirt, shpirti ynë! Dhe mos na thoni se jeni pa shpirt, se s’keni shpirt! S’është faji unë që lindëm më herët, që u vumë emër të përveçëm, që ju dalluam nga njëri-tjetri, që ju pagëzuam tokën, perënditë, zotat, hyjnitë! Nuk është faji ynë që dheut i thamë dhe, motrës motër, qiellit qiell, diellit diell, yllit yll! Nuk është faji ynë që ju që ju treguam udhët e botës, që ju dhamë bukë, që ju mësuam të jetoni, që ju pritëm dhe përcollëm me bujari, si i ka hije mikut! Fjalët shqipe s’kanë nevojë për pasaportën tuaj, as për licencën tuaj! E kanë fituar me kohë këtë të drejtë, ja kanë dhënë Zotat, Perënditë! Këtë të drejtë ja dha Nëna Tokë, The-mi, Dheu, Ze – Zo-ti, Kroni, Urani, Rea, Ha-deu, Deti, Di-elli, zoti i dritës, shumë kohë më parë se të lindnin gjuhët tuaja, shumë kohë para se të lindnin katedrat, gërmat, akademitë, filologët, gjuhëtarët skolastikë.

Gjuha shqipe e krijoi vetë arketipin e vet, shtratin e vet, modelin e vet, shëmbëlltyrën e vet, njërrokëshin proverbial, tingullin e harmonishëm, të bukur, kumbues, bashkëtingëllore, zanore e pazëshme, “ë” hijeshuese, ajkëtuese, ison e këngës vënçe! Krijoi dhe ruajti me besnikëri fjalët hyjni: dhé, di, ze, kre, be, le, lë, lo, de, da, do, the, ha, pi, zjarr, siç ruajti fjalën besë, vesë, udhë, ujë, ditë, dritë, bukë, arë, farë, bardhë, amë, at, anë, botë, buzë, ballë, mirë, mbarë, mollë, pemë, halë, mal, lumë, shumë, gur, shkëmb, dorë, pëllëmbë. Fjalën di, e bëri hyjni, perëndi, di, diell, ditë, dritë, fjalën the e bëri themi, thamë, thomi, fjalën no e bëri njoh, fjalën mer e mirë, fjalën marrë e bëri mbarë, fjalën do e bëri dodonë, fjalën le e bëri lehtë, ledh, lesë, lëviz, loz, lumë, fjalën dru e bëri derë, dërrasë, degë…Kështu lulëzoi gjuha shqipe, njërrokshme, e gdhendur, e skalitur, e latuar gojë më gojë, zemër më zemër, shpirt më shpirt, si drita, si ajri, si uji i kulluar. Dhe s’ka nevojë për bishtra, për këmbë, për ganxha, për çengela, për paterica, për kthetra ku të kapet, ku të mbahet. S’ka nevojë as për filologët e rrjedhur që rrudhin ballët për të bërë shpikje për shpikje që s’i kanë shpikur vetë!