Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se Kosova tashmë ka dërguar kërkesë në komitetin drejtues të CEFTA-së duke kërkuar përfaqësim të barabartë si shtet.

Ajo tha se si qeveri janë të zotuar se nuk do të vazhdojnë me asnjë pajtueshmëri të vendimeve dhe aktiviteteve të CEFTA-së derisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim.

Hajdari: Derisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim nuk do vazhdojmë me asnjë aktivitet në CEFTA

“Fakti që Kosova ka nivelin më të ulët të eksporteve në rajon kjo është shenj se prodhuesit tanë dhe eskportuesit tanë me vështirësitë që përballen veçanërisht me shtetin fqinj Serbia pengesat e aplikuara nga ky vend janë kryesisht tarifore, jo tarifore dhe të tjera[…]Kosova nuk është e përfaqësuar si shtet në mekanizmin CEFTA dhe kjo sjell pengesa shumë të rëndësishme, sidomos që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes e deri më tani përfaqësimi i Kosovës në CEFTA përmes UNMIK-ut duke gjeneruar kosto të konsiderueshme të mos njohjes duke konsideruar edhe barriera të shumta për eksportuesit tanë dhe kompanitë tjera të Kosovës[…]Kemi dërguar letrën me 24 shtator tek kryesuesi i komunitetit drejtues të CEFTA-së tek ministri, Kreshnik Bekteshi nga Maqedonia e Veriut dhe kjo letër pret një përgjigje e dimë që do kemi kundërshtim nga anëtarët e vendeve CEFTA siç janë Serbia, Moldavia dhe të tjerët por ne si qeveri jemi të zotuar se nuk do të vazhdojmë me asnjë pajtueshmëri të vendimeve të CEFTA-së në vijim dhe aktiviteteve të CEFTA-së derisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim”, theksoi ajo.

Këtë përgjigje, ministrja Hajdari e dha pas pyetjes së parashtruar nga deputeti i LVV-së, Driton Hyseni i cili pyeti edhe për masat anti-damping ndaj produkteve serbe.