Në prill të vitit 2009, ish-Presidenti Fatmir Sejdiu e kishte dekoruar Agim Ramadanin me urdhrin “Hero i Kosovës” duke i njohur kontributin e lartë e veprën e pashoqe të trimërisë së komandantit të UÇK-së. Por, jo shumë gjatë kjo medalje kishte qëndruar në duart e familjes së heroit nga Zhegra e Gjilanit pasiqë në vitin 2014 hajnat e vodhën në banesën e familjes Ramadani në Prishtinë.
shte viti 2009 kur Presidenti i parë i Kosovës së pavarur e shpalli Agim Ramadanin, i njohur në luftë si komandant Katana, hero të vendit me motivacionin për trimëri e merita në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Urdhri “Hero i Kosovës”, që iu dha komandantit të rënë në betejën e Koshares, u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të cilët kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Krahas dekorimit zyrtar, ish-Presidenti Sejdiu i dhuroi familjes së tij dekoratën e punuar nga ari me portretin e Skënderbeut me të cilën shteti i Kosovës e vlerësoi kontributin e “Katanës” gjatë luftës së UÇK-së, ku heroi nga Gjilani kishte shërbyer si komandant.

Por pesë vite pas kësaj ceremonie, banesa e familjes Ramadani në Prishtinë ishte cak i hajnave, të cilët vodhën medaljen presidenciale që ende nuk është gjetur edhe pse kanë kaluar 7 vite nga koha kur ndodhi vjedhja , shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Edhe më të dhimbshme ngjarjen e bën data në të cilën ndodhi vjedhja.
Pikërisht në përvjetorin e 15-të të rënies dëshmor të Katanës, për të cilin rast familja e tij gjendeshin në vendlindje, hajnat ia vodhën dekoratën nga ari që ia dhuroi ish-presidenti Sejdiu.

E medalja presidenciale e vjedhur nuk është zëvendësuar ndonëse që nga viti 2014 Kosova kishte dy presidentë: Atifete Jahjaga e Hashim Thaçi.

Asnjëri nga ta nuk ia dhuroi përsëri një dekoratë zëvendësuese megjithë përpjekjet e familjes e raportimet e mediave për këtë rast.
E kontaktuar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, Shkurije Ramadani tha se ende nuk është zëvendësuar nga ana e Presidencës dekorata e vjedhur.