Nga dokumentet e botuara të CIA-s në 1949, të deklasifikuara, shihet se si Vanço Mihajlov, udhëheqësi i VMRO-së së atëhershme, negocioi fshehurazi me përfaqësuesit e Jugosllavisë, të cilët ishin atje me urdhër të Titos.

Në mars të atij viti, Mihajlov dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Titos u takuan në Ankara, ku arritën një marrëveshje mbi formimin e një federate ballkanike, në të cilën anëtare do të ishte dhe Maqedonia e bashkuar dhe e pavarur.

Dokumenti risillet në vëmendje nga mediat maqedonase në një kohë kur ministrat bullgarë Krasimir Karakachanov dhe Ekaterina Zaharieva thonë se Tito ishte një “diktator komunist”.
Marrëveshja thotë se Mihajlov do të duhet të punojë për të bindur maqedonasit në Bullgari të pranojnë këtë ide dhe Jugosllavia është e angazhuar për të kryer një veprimtari të fortë ndërkombëtare për të bindur shtetet, veçanërisht Bullgarinë dhe Greqinë, për të formuar një Maqedoni të pavarur.

Maqedonia duhet të kishte një rend demokratik, i cili nuk do të ishte as pro-komunist dhe as anti-komunist.

U ra dakord që grupet e rezistencës maqedonase, në rast të një konflikti të armatosur, do të vepronin brenda forcave jugosllave, thuhet në dokument.