Teksa flet për shumë procese të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar, kandidati për presidenti i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar edhe një komunikim të veçantë me presidentin aktual amerikan Biden, shumë vjet më parë dhe lavdërimet e Biden ndaj tij, për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit.

“Kam pas rastin ta njohë atë herët, në vitin 2000 e tutje dhe kemi biseduar shumë për shqiptarët, për situatën tonë dhe jam ndoshta në atë brezin e parë të shqiptarëve që ia kam prezantuar çështjen shqiptare. Kam kaluar orë të tëra diskutimi me të dhe më ka bërë përshtypje sa shpejt e ka përvetësuar në atë kohë situatën e shqiptarëve”, thotë Haradinaj.

Edhe atëherë, vazhdon tutje, Haradinaj ia ka shpjeguar presidentit Biden se ne nuk jemi antikristian, sepse në Kosovë ka shumicë myslimane por ka edhe katolikë, ortodoksë, etj.

Ndër tjera, Haradinaj duke kujtuar prapaskenat e këtij komunikimi, thotë se i ka treguar atij që ne nuk kemi agjendë kundër kishave dhe se qëllimi i vetëm i yni është forcimi dhe zhvillimi.“Para trazirave të marsit, shumë kohë më parë më ka dërguar një kërkesë të posaçme që të kem kujdes për manastirin e Deçanit dhe Patriarkalen e Pejës sepse nuk do të ishte diçka e ndershme për shqiptarët të ndodhte diçka e keqe atje”, ka thënë Haradinaj.