Sot do të flasim për Ervis Sakollin, studentin ekselent të Inxhinierisë së Ndërtimi nga fshati Qereshnik i Beratit. Tashmë ai ndodhet në një pauzë studimesh, për shkak se ka marrë pushimet e verës dhe kohën e lirë po e kalon larg librave, duke iu përkushtuar natyrës dhe gjetjes së vetvetes. Prej vitesh në kokën e Ervisit gëlojnë mendime për prejardhjen e tij. Shpesh i drejtohet vetes:’-“Kush jam unë? Nga vij? Kush janë paraardhësit e mi?”.

Këto mendime i lindën gjatë shëtitjeve që bënte me gjyshin, kur ishte fare i vogël. “Gjatë shëtitjeve shikoja disa kolona që më bënin përshtypje. E pyesja gjyshin se çfarë ishin dhe ai më thoshte se ,-‘janë rrënojat e një kishe të vjetër’. Kaq mu desh që mendimet të mos më largoheshin”, tregon Ervisi.

Që prej asaj kohe 20-vjeçari i premtoi vetes që do të nxjerrë në dritë të vërtetën shekullore të fshati të tij, por pyetjet nuk u shuan, përkundrazi ai po kërkon që tu japë zë atyre. “Dua që në fshatin tim të lindjes të vijnë historianët apo arkeologët, për të bërë kërkime”, shton studenti. Për më tepër lexoni intervistën në gazetën Shqip.

Si lindi ideja të kërkoje për historinë e fshatit tënd?

Ideja lindi nga kujtimet e fëmijërisë. Shpesh shkoja me gjyshin për të zënë zogj në një vend të quajtur “Zona e Kishës”. Teksa ecja përreth zonës në fjalë, shikoja disa kolona të mëdha dhe nga kuriozitet e pyesja gjithmonë gjyshin se çfarë mund të kishin qenë. Ai më thoshte se ,- “dikur aty ka qenë një kishë shumë e madhe, por tani i kanë mbetur vetëm rrënjat”. Përveç kësaj ai më tregonte edhe për historinë e kalasë së Gradishtës, që ndodhet në pikën më të lartë të Qereshnikut. Ato fjalë më mbetën në mendje gjatë gjithë jetës dhe qëllimi im i vetëm është që të zbuloj të vërtetën e historisë së fshatit tim

Kush të orientoi tek objektet që dyshohet që janë të kaq të vjetra?

Siç e thashë edhe me lart, orientimet e para rreth këtyre objekteve me kanë ardhur nga gjyshi im, por me kalimin e viteve fillova të pyes edhe banorët më të vjetër, për të mësuar më shumë rreth historisë së fshatit. Ata më treguan se afër kishës gjendeshin edhe dy furra ku bëheshin tulla e qeramika të ndryshme për ndërtime shtëpish. Me treguan edhe për një vend pak me larg zonës së kishës, të cilin e quanin “Varret e Kishës”.

Po ashtu poshtë kishës gjendet një burim i cili quhet “Sapot””, ku uji i tij ende edhe sot e kësaj dite mbetet më i preferuari nga banorët. Gjithashtu në këtë fshat gjenden edhe disa varre me mbishkrime arabe që datojnë deri nga koha e osmaneve. Pranë tyre thuhet se ka qenë një xhami e vjetër, por në kohën e komunizmi u shkatërrua. Kjo do të thotë se ky vend ka qenë i banuar në çdo periudhë kohore; si në kohën bizantine, sllave apo edhe osmane. Pasi i kuptova të gjitha këto për fshatin tim, së bashku me kushëririn, shkuam për të kërkuar më shumë rreth këtyre objekteve, ku disa prej tyre edhe i kemi fotografuar, por pjesa më e madhe e tyre gjenden ende nën dhe të pa zbuluara ndonjëherë.

Si u ndjeve kur u përballe me këto objekte?

U ndjeva shumë i emocionuar për shkak së fjalët e banorëve dolën se ishin të vërteta. Gjithashtu në ato momente krenaria ime u rrit edhe me shumë për vendin tim dhe kjo me shtyu për ta bërë publike këtë histori, duke shpresuar që të ngjall interes për arkeologë dhe historianët e Shqipërisë.

Çfarë bëre në ato momente? Kërkove ndihmë?

Kur fotografova të gjitha ato objekte lashtësie menjëherë u lidha me një shok, i cili ka mbaruar shkollën për arkeologji. Pasi ia thashë të gjithë këtë histori, me tregoi se këto gjëra duken shumë interesante dhe se kur të vinte në Berat do shkonim për ta vizituar atë fshat edhe më mirë. Në fund të bisedës ai me tha se duhet të bëhet shumë kujdes për ato objekte pasi në Shqipëri ka ende njerëz keqbërës që shkojnë në vende të lashta e grabisin gjerat më me vlerë, duke shkatërruar historinë e kombit tonë.

Çfarë kërkon?

Ajo çfarë unë kërkoj është se në këtë fshat kaq të bukur ka ende shumë mistere që duhen të dalin në dritë nga arkeologë dhe historianë. Kështu fshati im mund të kthehet në një vend turistik. Gjithashtu edhe Shqipërisë mund t’i shtohet një zone e re në hartën e saj historike. Gjithsesi unë si shqiptar e bëra punën time, ndaj tani është radha juaj për të bërë punën tuaj!

Intervistoi: Silvana Muça