E ka me dëshirë t’i drejtohet me “Shqiptar i Kosovës” dhe jo kosovar. Ky është Roar Ahmetaj, vogëlushi prishtinas i cili u bë i njohur nga rrjeti social Facebook, përmes videos së publikuar nga e ëma, së cilës po i rrëfente bisedat e shkollës.

Ambienti më i ngrohtë për Roarin 6- vjeçar mbetet banesa të cilën e ndan vetëm me nënën e tij.

Dy kënde i ka të preferuara të cilat i shfrytëzon për t’u relaksuar, teksa vogëlushi nuk lë anash as teknologjinë si formë argëtimi e informimi për të.

Si i vogël, Roari shquhet për patriotizmin, të cilin nuk heziton ta shfaqë edhe përmes këngës.

E ëma e 6-vjeçarit, ishte arsyeja që vogëlushi fitoi vëmendje të madhe në rrjete sociale, brenda një kohe të shkurtër, raporton SOT në KTV. Ajo thotë se gjithçka nisi si bisedë rutinore me të birin, e me t’u bërë virale videoja, Saranda pranoi komente të panumërta.

Duke parë hiperaktivitetin e të birit dhe të qenit i shkathët me humorin, Saranda Jusufi tashmë ndan thuajse çdo moment të Roarit në Instagram. Veç të tjerash, ajo ka nuhatur qysh herët edhe talentin e tij për artin.

“Shqiptar i Kosovës” kështu do të mbahet mend vogëlushi nga Prishtina. Reagimi i tij plot emocion në këtë video së bashku me këtë frazë, ishte arsyeja kryesore që shumë figura të njohura shqiptare e shpërndanë në llogaritë e tyre personale.