Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Ferid Tofik Jegenit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes dhe më pas në Selanik, bashkë me shumë djem dibranë vazhdoi studimet në kryeqëndrën e Perandorisë osmane në Stamboll, duke ndjekur Fakultetin e Shkencave Ekzakte (Dega Matematikë). U detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike dhe familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915, ku bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve dhe me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht e u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë.

Kur Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thirr si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e komisionit për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin gjuhën shqipe.

Pasi shërbeu edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, ai u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; “Për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar”. Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte.