Një grup peshkatarësh dhe zhytësish jo-profesionistë me pasion për arkeologjinë nënujore, gjatë dekadës së fundit kanë ndihmuar arkeologët të zbulojnë dhe ruajnë reliktet e dhjetëra anijeve antike nga 900 deri në 2400 vjeçare – duke ndryshuar rrënjësisht optikën historike për marrëdhëniet e ilirëve me detin dhe fqinjët.
Kur Sandër Xhuka – një peshkatar dhe zhytës apnea – pikasi një objekt të madh metalik në ujërat e gjirit të Durrësit në verën e vitit 2009, ai nuk e kuptoi menjëherë së bëhej fjalë për një spirancë të një anijeje Ilire.

“Kujtova se ishte një kazmë e madhe prej bronxi, që peshonte 167 kg gjithsej dhe mund ta shisja për skrap,” tregon 53-vjeçari.

Pasi arriti në përfundimin se nuk bëhej fjalë për kazmë por për një spirancë, Xhuka rekrutoi një grup miqsh për ta ndihmuar dhe disa ditë më vonë ata arritën të zbulonin anijen antike të cilës i përkiste.

Më vonë, Sandri dhe shokët e tij gjetën dhe dërguan në Muzeun Arkeologjik të Durrësit edhe dy spiranca të tjera të hershme, duke e çuar në 25 numrin e përgjithshëm të spirancave antike që janë nxjerrë nga ujërat detare në brigjet shqiptare.

Sipas Dr. Adrian Anastasit – specialist në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë – Xhuka nuk është i vetëm.

Ai i përket një grupi të vogël zhytësish, peshkatarësh dhe të apasionuarish pas arkeologjisë nënujore, që me pasionin e tyre dhe dëshirën për t’i ruajtur thesaret arkeologjike, i kanë ndihmuar arkeologët të zbulojnë 23 relikte që i përkasin një periudhe historike që shkon nga shekulli i VI para erës sonë deri në shekullin e XI pas erës sonë.

“Janë zbulime që i përkasin një periudhe 10-12 vjeçare dhe që i hapin rrugë studimeve të mirëfillta lidhur me lundrimet e ilirëve në detin Mesdhe,” shprehet Anastasi.

Që nga viti 2004 vetëm në gjirin e Durrësit, në hapësirën ujore nga kalaja e Turrës në jug deri në Porto Romano në veri, Dr. Anastasi, falë sinjalizimeve të peshkatarëve dhe zhytësve vendas, ka zbuluar nëntë relikte anijesh që i përkasin periudhave të ndryshme.

Mbi këtë bazë ai ka ndërtuar tezën e tij të vektorëve ekonomikë “të flotës detare tregtare Ilire”, një teori që sipas tij ndryshon krejtësisht optikën e shkencës sonë historike për marrëdhëniet e ilirëve me detin dhe fqinjët.

Gjiri i thesareve

Në një artikull të botuar katër dekada më parë, Dr. Moikom Zeqo, një nga zhytësit e parë në gjirin e Durrësit, e përshkruan atë si një muze arkeologjik nënujor mjaft të pasur. Në mesin e viteve 1970, kohë së cilës i referohet Zeqo, hyrja në det me kostum zhytësi dhe aq më shumë me bombola oksigjeni kontrollohej rreptësisht nga disa institucione shtetërore.

Sipas Dr. Anastasit situata ndryshoi pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, dhe tani më shumë së një çerek shekulli më vonë, zona bregdetare e gjirit të Durrësit është e hapur për këdo – nga zhytës me bombola që gjuajnë për peshk me pushkë deti, të tjerë që kërkojnë objekte metalike për t’i shitur për skrap, si dhe të pasionuarit e objekteve arkeologjike.

Me hapjen e gjirit dhe sfidat me të cilat u përball sundimi i ligji pas rënies së komunizmit në Shqipëri, “numri i abuzuesve është 20-fishuar,” thotë Gëzim Myhypaj, një nga punonjësit me përvojë të Policisë Kufitare në Durrës.

Edmond Shmili, zhytës në portin detar të Durrësit, tregon se si një amforë antike e veshur me guaska detare iu shit para disa vitesh nga një zhytësi amator për 300 mijë lekë të vjetra një lokali në zonën e plazhit.

“Iu lutëm që të na e jepte për 50 mijë lek për ta dërguar në muzeun arkeologjik, por as që bëhej fjalë,” kujton ai.

Anastasi tregon se kur u kthye në Shqipëri në vitin 2004, pas studimeve në Universitetin e Gjenovës në Itali, shumë shpejt kishte kuptuar se mbrojta e trashëgimisë kulturore nënujore nuk kalonte nga institucionet e sigurisë por mund të realizohej vetëm duke ndërgjegjësuar zhytësit amatorë.

Shmili, ose siç i thërrasin miqtë Edi i vogël, është një nga katër zhytësit durrsak, të cilët kanë ndjekur vite më parë kursin e drejtuar nga Dr. Anastasi, ku përveç teknikës së zhytjeve deri në 40 metra thellësi ata kanë mësuar të njohin dhe të ruajnë objektet arkeologjike që popullojnë brigjet e Durrësit – nga Kepi i Lagjit në jug deri në Kepin e Rodonit në veri.

Së bashku me miqtë e tij Eduard Plakun, Bardhi Omeri dhe Bardi Balla, ai është krenar që certifikata e tij si zhytës është e sigluar nga Prof. Myzafer Korkuti, në atë kohë drejtor i Institutit të Arkeologjisë. Grupit të tyre të vogël më vonë iu bashkuan dhe shumë të tjerë – kryesisht peshkatarë durrsak.

Njëri prej tyre është dhe operatori televiziv Armand Hallvaxhiu.

“Mandi na ka njohur me qeramikat e reliktit “Dyrrachium 2”, e po ashtu ka sjellë një thellësimatës të hershëm detar nga Kepi i Rodonit,” tregon Dr. Anastasi.

Bashkë me arkitektin Redi Dhimitri, një tjetër vullnetar, Anastasi po punon aktualisht për skicimin e relikteve të zbuluara në gjirin e Durrësit, për të përpiluar një harte dixhitale të vendndodhjeve.

“Nuk janë të paktë ata që mendojnë se punojmë nën ujë për të fituar para,” tregon Dorian Shpuza, një nga zhytësit më të aftë të kësaj zone duke iu referuar paragjykimeve që e rrethojnë pasionin e tyre për reliktet.

Megjithatë, Shpuza shton se Vangjel Toçi – arekeologu që zbuloi amfiteratrin romak në Durrës dhe që në fillim të viteve 1970 hodhi bazat për arkeologjinë nënujore – vdiq i varfër.

Tre vjet më parë nga sinjalizimet e Shpuzës doli në dritë relikti i një anije që më pas morri emrin “Dyrrachium 4.”

Edhe pse trupi prej druri i anijes 2000 vjeçare ishte kalbur gjatë shekujve, ngarkesa e saj prej qeramike dhe elementë të ndryshëm si gozhdët metalike dhe objektet prej plumbi që shërbenin si thellësimatës u gjetën pranë reliktit.

Sinjale pozitive pas projekteve të gabuara

Përveç vjedhjes dhe trafikimit të artifakteve nënujore, zbatimi problematik i projekteve për thellimin e portit të Durrësit nga viti 1989 deri në vitin 2005, ka pasur një efekt shkatërrues mbi trashëgiminë arkeologjike.

“Hedhja e mbetjeve të kontaminuara të basenit portual në afërsi të bregut të plazhit të Currilave, jo vetëm ka shkatërruar florën dhe faunën nënujore, por ka bllokuar përfundimisht me një mbulesë disahektarëshe si prej çimentoje edhe objekte të mundshme arkeologjike,” thotë Dr. Anastasi.

i
Sipas tij e njëjta gjë ka ndodhur edhe para 5 vitesh me thellimin e portit të ri të peshkimit, për ngritjen e të cilit nuk u paraqit asnjë dokument i vëzhgimit paraprak të zonës nënujore.

Përdorimi i dinamitit për peshkim ka shkaktuar gjithashtu dëme të pallogaritshme në trashëgiminë arkeologjike të gjirit të Durrësit.

Zhytësi Rami Kebei thotë se enët prej qeramike nga shpërthimi i dinamitit marrin plasaritje të pakthyeshme, të cilat mund t’i dëmtojnë përfundimisht këto objekte gjatë nxjerrjes nga uji.

Me gjithë dëmet e shkaktuara, dhjetëra objekte arkeologjike janë gjetur dhe nxjerrë prej detit përballë qytetit të Durrësit dhe presin të ekspozohen zyrtarisht.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Ledion Lako, thotë se kati i tretë i Muzeut Arkeologjik të Durrësit mund të shërbejë si një muze i vogël i arkeologjisë nënujore dhe pritet vetëm miratimi i institucioneve shkencore dhe atyre të kulturës.

Puna e bërë për ndërgjegjësim duket se ka dhënë fryte edhe në zona të tjera në Shqipëri tregon Dr. Anastasi, i cili nënvizon se edhe në zbulimet e rëndësishme prehistorike në liqenin e Pogradecit janë angazhuar gjithashtu të rinj vullnetarë.

Në muzeun arkeologjik të Durrësit kujtojnë se si disa vite më parë një grup djemsh durrsakë –zhytës në zonën e Plazhit – sollën disa gryka amforash.

“Ishin tre arka plot dhe kur u thamë se nuk mund t’i paguanim dot na panë me habi”, tregon një nga ish-drejtuesit e Muzeut. “Duket se gabuam ne,” shtoi ai.

Ndërkohë disa ditë më parë, katër nxënës të klasës së 8-të në një nga shkollat e qytetit sollën në muze disa fragmente qeramike të cilat i kanë gjetur rastësisht në cektinën bregdetare.

“Kujdesi i [këtyre] 14-15-vjeçarëve për trashëgiminë historike dhe insistimi i tyre për t’ia dorëzuar materialet e gjetura specialistëve përbëjnë një tjetër sinjal pozitiv,” përfundoi Dr. Anastasi.

Autor: Gëzim Kabashi | BIRN | Durrës

Relike e shekullit 3-4 pas Krishtit. Foto kortezi A. Anasatasi

Spiranca e shekullit 3-para Krishtit. Foto kortezi: A.Anasatasi

Edmond Shmilli, Eduard Plaku, dr. Adrian Anastasi, Bardhi, -Foto nga G. Kabashi

Dorian Shpuza, Adrian Anastasi në gjirin e Durrësit

Zhytës në gjirin e Durrësit. Foto kortezi A.Anasatasi

Zhytës në gjirin e Durrësit. Foto kortezi A.Anasatasi

Spiranca e zbuluar në gjirin e Durrësit Foto kortezi nga A.Anasatasi