Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht, ku në periudhën e regjimit komunist ishte vendosur Muzeu Historik i Shkodrës, është një ndërtesë me pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Evropë e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek. XIX.

Shtëpia nga pikëpamja ndërtuese formohej prej 15-16 dhomash të vogla dhe të mëdha. Para së të hapej rruga e teatrit “Migjeni”, oborri i shtëpisë mbyllej me një portë të madhe dërrasash, dy kapakësh, të gdhendura me ornamente dhe me stemën e Anglisë. Porta ka qenë e sjellë nga jashtë dhe anës saj ka qenë i lartuar një pirg me dhomat e rojeve, me dritare të forcuara nga hekra të përdredhur.

Para ndërtimit

Më pas shtëpinë ku banoi Mercariçani u nda dypjesësh: pjesën përpara e bleu lordi anglez Paget, kurse pjesën mbrapa qeveria ia fali të quajturit Boxho Mikashiq nga Mali i Zi. Mikashiqët më pas ia shitën shtëpinë të quajturit Jakup Dervishoviq, pas çlirimit kjo shtëpi iu bashkua Sahatit të Inglizit.

Ndërtimi i Shatose

Paget pasi bleu shtëpinë, planifikoi rindërtimin e një konaku me stil shatoje. Anglezi vinte vetëm dimrit në fillim dhe dilte për gjueti dhe merrej me tregtinë e antikiteteve, dhe shtëpia ishte në përkujdesjen e zv/konsullit të Anglisë, Kolë Sumës. E financuar nga i ati, shatoja do të përshtatej të ishte baza e misionit protestant në viset shqiptare.

Pasi u ndërtua, salloni i madh u përshtat në stilin oriental, me tavan të daltuar, me trapazan dhe ndarje të tjera, duke e përgatitur për qëllime faltoreje në ngjasim të kishave e të kapelave protestane. Kulla e Sahatit do të shërbente për të rrahur kumbonët në orarin e liturgjisë. Nisi të përhapte broshura të ritit protestant dhe paguante me të holla disa aventurierë katolikë, ndër ta një i quajtur Ndrekë Protestani. Pas protestave të klerit katolik me shërbim në vend, mbështetur nga konsulli austro-hungarez, autoritetet osmane ndërhynë ndaj veprës së anglezit dhe ndërtesa mbeti vetëm si banesë.

Meqë synimi i anglez në përhapjen e anglikanizmit nuk pati sukses dhe në vend të kumbonës solli një sahat të madh me tri fusha. Nga fundi i sundimit osman, ky sahat nuk kurdisej mirë nga kujdestarët e tij, dhe për këtë një këpuctar bejtexhi i kushtoi një bejte sahatit.