Ilirët, arbrit, historia e shqiptarëve, atyre të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi do të rishkruhet. Rishikimet e tezave që kanë lidhje me Çamërinë apo ngjarje të tjera të integruara në histori edhe nga shqiptarët e diasporës do të jenë pjesë e këtij rishkrimi.

“Do të jetë i një niveli krejt tjetër, do jetë ndryshe në pikëpamje të organizimit të teksitit, do ketë pjesë nga dokumenta të pashfaqur më parë dhe fakte. Do të jetë një histori e shqiptarëve që do të përfshijë të gjitha trevat dhe të gjitha periudhat historike”, shprehet Pëllumb Xhufi.

Historia e shqiptarëve do të nisë që nga antikiteti dhe do të përmbajë gjithë zbulimet arkeologjike që janë zbuluar e studiuar së fundmi. Dhe këtu përvoja e bashkëpunimit me akademikët e Kosovës duket e mirë.

Deri më tani, akademikët kanë punuar për dy vëllimet e para të historisë së shqiptarëve.

Akademiku Vasil Tole ka publikuar në rrjete sociale një foto ku shihen disa nga mendjet më të ndritura të vendit tonë.

Janë profesorët që do të rishkruajnë historinë e shqiptarëve. Foto është shkrepur në përfundim të aktivitetit dedikuar nisjes së punës për botimin madhor që do të jetë botimi më i madh i Akademisë së Shkencave gjatë këtyre 30 viteve.

Profesor Neritan Ceka do të mbulojë pjesën e historisë së antikitetit, Ferit Duka periudhën e Perandorisë Osmane, profesor Paskal Milo ka historinë e shekullit të XX ndërsa Pëllumb Xhufi periudhën e Mesjetës.

Profesorët në foto janë: Beqir Meta, Gjon Boriçi, Ledia Dushku, Neritan Ceka kryetar i komisionit të historisë dhe Arkeologjisë në ASH, Sonila Boçi, Skënder Gjinushi kryetar i ASH, Pëllumb Xhufi, Marenglen Verli rektor i ASA, drejtori i Institutit të Historisë Ali HADRI,

Rreshti i dytë: Adem Bunguri, Irakli Koçollari drejtor i Qendrës së Botimeve enciklopedike pranë ASH, Apollon Bace, Paskal Milo, Skënder Muçaj, Ferit Duka, Vasil S. Tole dhe Luan Bërzhita drejtor i Institutit të Arkeologjisë në ASA.