“Sipas mendimit tim, shqiptarët janë një nga popujt / kombet më të mrekullueshëm në botë. Meqenëse shumë njerëz nuk e dinë këtë, ose nuk e dinë historinë magjepsëse, unë përpiqem të komunikoj për këtë”. Kështu thotë holandezi 35 vjeçar, Stefan van Dijk, që jeton në Kosovë që nga 2012’ta. Van Dijk, i cili lobon për investime në Kosovë përmes biznesit të tij të këshillimit (KosIBC.com), merret me këshillimin e të huajve për të bërë biznes në vendin tonë. Këtë gjë e bën duke administruar tre faqe të internetit për Kosovën në tre gjuhë mjaft të rëndësishme të komunikimit në botë,në Holandisht, Anglisht dhe Spanjisht,

Në një intervistë dhënë Gazetës Metro, Van Dijk, ka rrëfyer eksperiencat e tij, misionin, gjuhën dhe të jetuarit në Kosovë, që sipas tij meriton një zhvillim më të madh se që ka tashmë ky vend, gjë për të cilën është transferuar për të ndihmuar në këtë aspekt.

“Në thelb unë përpiqem të dëgjoj dhe të lexoj sa më shumë gjëra pozitive për Kosovën apo shqiptarët, dhe ta komunikoj këtë. Kjo mund të bëhet publikisht në kanalet e mia të mediave sociale ose në faqet e mia në internet (kosovoblogs.nl, kosovo-info.com, kosovo-informacion.com) ose ndonjëherë personalisht me gazetarët, diplomatët ose politikanët”, ka thënë Stefan

Ai tutje ka theksuar se është bërë pjesë e platformës më të re dixhitale Dua.com, që synon të lidhë shqiptarët nga e gjithë bota në fusha të ndryshme.

“Arsyeja pse u bashkova me platformën e re Dua.com është se mund të bëj atë që më pëlqen më shumë: të komunikoj me dhe për shqiptarët. Dua ka për qëllim të lidhë të gjithë shqiptarët në mbarë botën. Është gjithnjë e më e dukshme që shqiptarët janë një. Ne e pamë atë posaçërisht pas tërmetit. Dua.com dëshiron jo vetëm që t’i ndihmojë shqiptarët të gjejnë partnerin e tyre më të mirë në dashuri, në biznes, por dhe në situata të tjera”, tha Stefan

Se mirëpritja është pikë e dobët e shqiptarëve e tha edhe Stefan, kur tregoi se si u prit nga shqiptarët për të jetuar këtu, duke bërë të qartë se një gjë e tillë po ua rrit imazhin shqiptarëve çdo herë e më shumë.

“Të jetosh në Kosovë është shumë e veçantë. Kultura është kaq e qetë dhe miqësore. Përveç kësaj, ata janë shumë mikpritës ndaj të huajve. Nga dita e 1, gjithmonë jam ndjerë e mirëpritur. Kur jam me fëmijët e mi duke bërë pazar, njerëzit i trajtojnë ato aq të ëmbël. Ata i përqafojnë ose i puthin. Kjo nuk është diçka që do ta shihni shpejt në Perëndim. Kjo na bën që edhe prindërit të ndjehemi të mirëpritur. Vitet e fundit, shqiptarët u bënë më të njohur në mediat ndërkombëtare, dhe kjo është një gjë e mahnitshme. Por akoma, ka shumë për të arritur sa i përket imazhit, dhe lobit të mire”, tha Stefan.

I pyetur se sa është e vështirë për të ta kuptojë gjuhën e vendin ku jeton për shtatë vite me radhë, Stefan bëri të ditur se ishte mjaftë e vështirë për të, duke treguar me shembuj mahnitës.

“Gjuha shqipe është komplekse dhe e vështirë për mua. E mësoj hap pas hapi. Në fillim është tashmë të kuptohet alfabeti me 36 shkronja. Një emër si Xherdan Shaqiri në vitin e parë ishte jashtëzakonisht i vështirë për tu mësuar për shkak të Xh dhe Sh dhe Q”, ka përfunduar van Dijk.