Në skajin më verior të Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi janë zbuluar gjurmët e një kishe që i përket periudhës paleokristiane të shekullit të V. Zbulimi është bërë në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, ku kanë qenë banorët e zonës të cilët e kanë përcjellë brez pas brezi një informacion të tillë, se diku në atë zonë, që dikur e ka patur toponimin Kirza, ka ekzistuar një kishë.

Ky zbulim vlerësohet si mjaft i rëndësishëm si tregues i identitetit kulturor dhe fetar të Shkodrës dhe zonës përreth. “Kemi të bëjmë me një kishë paleokristiane, e cila e ka fillesën e saj në fundin e shekullit të V, dhe në gjysmën e parë të shekullit të VI, pra flasim për 15 shekuj. Është ndër kishat më të vjetra në Shqipëri dhe në rrafshin e Ballkanit”, deklaroi arkeologu Gëzim Hoxha.

Zbulim pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit kulturor të zonë së Hotit, pasi prova të tilla të kishave kaq të vjetra janë thuajse te pamundura të gjenden në Ballkan.