Autoritetet kosovare të sigurisë dhe drejtësisë janë duke hetuar lëvizjen e disa makinave zyrtare më targa të Serbisë, që besohet se i takojnë sistemit shëndetësor të këtij shteti, që kaluan në pikën kufitare Jarinje në periudhën 23 deri më 25 dhjetor të vitit që shkoi.

Me to dyshohet se u futën ilegalisht në Kosovë 100 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Ato ishin injektuar në dhjetra veta, në Leposaviq e Mitrovicë të Veriut.

Këto hetime u konfirmuan nga burime të sigurisë përderisa në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës thanë se mund të ketë edhe ndjekje penale në lidhje me rastin.

”Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata për këtë çështje, në drejtim të veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

”Varësisht nga rezultatet e hetimit, nëse vërtetohet që ka prova të mjaftueshme atëherë Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të nisë edhe hetimet penale për këtë çështje”, thuhet në deklaratë.