Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në raportimin e tij para deputetëve të Kuvendit për 100 ditët e tij si i pari i ekzekutivit, ka deklaruar se ka punuar ndershëm, pa asnjë akuzë gjatë këtyre ditëve për korrupsion, ka shënuar marrëveshje historike dhe ka menaxhuar mirë pandeminë.

Hoti ka deklaruar se Qeveria e kaluar Kurti prishi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngriu ato me shtetin vëllazëror, Shqipërinë.

Ai thotë se këto dy gjëra arriti ti riparon dhe vendos marrëdhënie të ngushta përsëri me vendet mike të Kosovës dhe ka përmendur marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën e ka quajtur historike.

“Qeveria gjatë këtyre tre muajve ka arritur të rivendos marrëdhëniet e ngushta me vendet mike. Në rend të parë me ShBA-në dhe partnerëve evropian të cilat ishin lënduar nga qeveria paraprake. Me kënaqësi e theksoj që qeveria ka rivendosur bashkëpunim të plotë me këto vende që i kemi pasur dhe i kemi partnerë të rëndësishëm… Kur e kemi marrë qeverinë, bashkëpunimin me Shqipërinë e kemi gjetur në një gjendje të ngrirë, falë angazhimit të dyanshëm tash jemi në një fazë të re të marrëdhënieve tona ku po kalojmë në realizim konkret të projekteve jo vetëm për dy vendet po mbarë rajonit….Sa i përket dialogut me Serbinë qeveria ka pasur qasje konstrukive. Kemi bashkëpunaur ngushtë me kryediplomatin e BE-së, parimet e qarta të dialogut na kanë mundësuar të bëjmë progres në këtë proces… ne kemi pasur takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë ku në prani të presidentin Donald Trump kemi nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik që paraqet një hap të rëndësishëm drejt marrëveshjes finale. Ndonëse reagimet brenda vendit kanë qenë të ashpra, ajo me të drejtë është cilësuar si marrëveshje historike që mundëson ecjen përpara ka zgjidhja përpara”, tha ai.

Hoti tha se janë sharë shumë për keqmenaxhim e pandemisë në fillim, por gjithë ata tani duhet të turpërohen.

“ I kemi decentralizu spitalet rajonale, kemi punuar shumë për furnizim me mjete të nevojshme për tu përballur me këtë pandemi…për këtë pandemi jemi sharë shumë, sidomos në këtë kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe me gjerë si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme dhe ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat sot duhet të turpërohen”, tha ai.

Duke folur për rimëkëmbjen ekonomike, Hoti tha se kanë ndarë mjete financiare për sektorin privat dhe kanë rritur buxhetin për bujqësi.