Dua Lipa është ndofta shqiptarja më e njohur dhe më e suksesshme e kohës sonë. Është një nga personalitet muzikore më me ndikim në planet. Një artiste e nivelit të lartë, që jo thjesht ka disa dhjetra milionë ndjekës në të gjithë botën, por është vlerësuar lart edhe nga kritika profesionale botërore, që i ka akorduar disa herë çmime, kushtuar artikuj apo profile publicistike në mediat më në zë të botës.

Një grua e bukur, e cila është sot, një nga pak personazhet më të pëlqyer e të diskutuar në mbarë globin.

Dua, e cila është prezent në programe të famshme televizive, nuk rresht së promovuar identitetin e saj shqiptar dhe tokën prej nga vjen. Një gjë jo shumë e shpeshtë kjo për njerzit botërisht të famshëm. E kemi parë duke gatuar byrek apo pjata tipike shqiptare në televizionet amerikane apo britanike.

Dy ditët e fundit, Dua Lipa bëri shumë bujë, pasi postoi grafikën e famshme që ende nuk i dihet autori që e ka realizuar, por dihet kush e shpalosi dhe e bëri publike.

Bëhet fjalë për flamurin me grafikën “Autochthonus”, ku është vizatuar një hartë e trojeve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, që Ballist Morina e shpalosi në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku po luhej ndeshja Serbi-Shqipëri në vitin 2014.

Flamur që solli atë vlagë përplasjesh e polemikash, sherresh e valës së dhunës në stadium, jehona e të cilit vijon edhe sot.

Postimi i Dua Lipës, logjikisht që solli jo thjesht reagime, por mijëra reagime, edhe kontraversale, kryesisht nga emra të njohur nga Serbia, por edhe njerëz të thjeshtë.

Pati reagime të VIP-ash botërorë si Francesco Totti, Lorik Cana etj etj.

E në fakt, ka shumë gjasa që Dua, ta ketë postuar atë grafikë tashmë shumë të famshme, pikërisht për të provokuar reagime, dhe me qëllim a pa qëllim është punë e saj, por ndikimi i postimit ka qenë shumë i madh.

Dhe si një diplomate e mençur, Dua, e ka hedhur këtë postim që i jep peshë çështjes nacionale të shqiptarëve, pikërisht në ditët kur në Prishtinë po bëhet një debat për ndërtimin e xhamisë së qendrës së qytetit, e cila si edhe në Tiranë është e projektuar sipas modelit otoman nga qeveria e Turqisë dhe e sponsorizuar nga Erdogani.

Debat që po mbush mediat ballkanike, por edhe ato të Europës dhe Rusisë.

E pikërisht, një personazh shumë i vrazhdë i opinionit publik shqiptar, që ka mbështetur ndërtimin e xhamisë otomane, opinionisti Nexhmedin Spahiu, ka kërkuar publikisht shpalljen “non grata” të Dua Lipës nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shpallja “non grata” e një shtetasje të Kosovës nga vendi i saj është një idiotizëm me okë, pasi secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet. Por çështja është diku tjetër.

Nexhmedin Spahiu është një analist i llastuar nga mediat e Tiranës dhe Prishtinës. Thirret të flasë për çdo gjë kur realisht ai është në periferinë e mendimit dhe zhvillimeve në botën shqiptare.

I kandiduar dikur nga partia e Behgjet Pacollit për kryetar të Mitrovicës por që dështoi skajshëm, Spahiu është një nga opinionistët që mbron idenë e “kombit kosovar”, cilëson si figura të mëdha kombëtare Esat Pashë Toptanin dhe Xhafer Devën, ministrin e Brendshëm të kohës së nazizmit në Shqipëri që urdhëroi masakrën e 4 shkurtit 1944.

Përveç se është lektor dhe drejton një televizion në Mitrovicën e jugut, Spahiu ka jetuar për një kohë në vitet 90 edhe në Tiranë, ku ka shkruar gjerësisht në shtypin shqiptar.

Por pas kthimit në Kosovë, ai nisi një qasje kundërshtuese ndaj Shqipërisë, historisë dhe figurave të saj. Është simpatizant i shpallur i Perandorisë Osmane dhe e shpreh vazhdimisht këtë simpati dhe formim kulturor.

Si Nexha ka mjaft në Kosovë, edhe të tjerë që kanë simpati për Hitlerin, Titon, Erdoganin e madje edhe për Isa Mustafën.

Por interesant është fakti se këta tipa, që rrotullojnë në opinion qëndrime jo thjesht kondraversale, por edhe të urryera, kur të tjerët kanë mendimet e tyre, këta ose duan t’i burgosin ose t’i shpallin “non grata” nga vendi i tyre, siç kërkon të bëjë Nexha me Dua Lipën, këtë përfaqësuese të denjë të shqiptarëve të sotëm.

Një herë, Nexha është shprehur se donte të gjuante me grusht Glauk Konjuvcën, pasi ish-ministri i jashtëm i Kosovës, kishte shprehur një opinion që nuk i kishte pëlqyer.

E këto tipa, që, mirë kanë problem me mendimin, por janë edhe pa ekuilibër mendor e madje të dhunshëm, ne i thërrasim përditë në ekranet tona si në Tiranë e Prishtinë, ku shpërndajnë diarre të vijueshme përronjsh psiqikë e mendime pa pikë lidhjeje…