Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pretendon se sulmi ndaj djalit të Nenad Rashiqit, Nikolla është organizuar nga udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Madje, siç ka thënë më tej ai, sulmi është realizuar përmes Rada Trajkoviqit dhe Nenad Rashiqit.

Ndërkohë sipas Dnevnik.rs, Rakiq ka thënë se “u organizua një luftë midis dy grupeve të të rinjve, në të cilën djali i Nenad Rashiqit u lëndua, si rezultat i konflikteve private midis atyre të rinjve, dhe jo aktiviteteve politike të babait të tij”.

Madje, sipas tij, “të gjithë në Graçanicë, Rashiq dhe vetë Trajkoviq, e dinë që abuzojnë me këtë incident dhe u përpoqën të tronditin unitetin e popullit serb me gënjeshtra, duke e portretizuar këtë incident si politik”.

“Kjo është arsyeja pse këto ditë, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe janë në shënjestër të Kurtit dhe mbështetësve të tij. Kurti është i vetëdijshëm se nuk do t’i përmbush premtimet e tij nga fushata, sepse popullizmi nuk përmirëson jetën e qytetarëve ose zgjidh problemet, kështu që ai do të vazhdojë të bëjë presion mbi popullin serb, dhe ne nuk duhet të lejojmë që të provokohemi”, citohet të ketë thënë Rakiq.

Ndryshe, djali i politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiqit, Nikolla, është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Ai ka pësuar lëndime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku sipas babait të tij i janë thyer dhëmbët.

Ka vite që në Kosovë, liderët serbë të cilët nuk janë pjesë e Listës Serbe kanë folur për “presionet, kërcënimet, largimet nga puna – madje edhe sulmet fizike ndaj të gjithë atyre që kanë qenë kritikë ndaj Listës Serbe dhe partisë së Aleksandar Vuçiqit në Serbi”.

Për këtë kanë folur politikanët serbë si Nenad Rashiq, Slobodan Petroviq, Slobodan Petkoviq, Rada Trajkoviq dhe të tjerë.