Jemi mësuar që shpesh, sapo hapim lajmet, të lexojmë histori të të rinjve shqiptarë në Londër që kapen nga policia me të ashtuquajtura “shtëpi bari”.

Por, nuk duhet të harrojmë se ka dhe të rinj që, po në Londër, jetojnë dhe punojnë me ndershmëri, duke ngritur lart emrin e tyre dhe të vendin prej nga vijnë.

Një prej tyre është Xholind Muça, i cili është kërcimtar profesionist që performon në skenat e mëdha të Londrës.

Në një intervistë për abcnews.al ai ka rrëfyer jetën tij, rrugëtimin nga Tirana në Londër dhe për “incidentin” që e çoi drejt ëndrrës.

Xholind Muça është 21 vjeç, ka lindur në Tiranë dhe prej 9 vitesh, trajnohet, kërcen dhe performon në shfaqje të ndryshme, si në Shqipëri ashtu dhe jashtë vendit, përfshirë Italinë, Spanjën, Turqinë, Kroacinë dhe Britaninë.

Pasioni për baletin ka nisur krejt rastësisht, ashtu siç ndodhin gjërat e bukura në jetë. Nga mosha 5-vjeçare deri në 12 vjeç, Xholindi është trajnuar për artin marcial karate. Por, gjithçka u ndërpre pasi ai pësoi një frakturë në këmbë.

Edhe pse i vogël, 7 vite qenë të mjaftueshme për të që ta dashuronte karatesë, po ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i planifikon dhe do. Por, nëse dikur e quante veten të pafat për atë që i ndodhi, sot Xholindi mendon komplet të kundërtën, pasi ky “incident” e çoi drejt ëndrrrës, që është baleti.

“Me botën e baletit unë nuk kisha asnjë kontakt dëri në moshën 12-vjeçare. Por, aktiviteti fizik nuk mungonte që nga mosha 5-vjeçare ku unë trajnohesha për një tjetër art shumë të ndryshëm nga baleti. Për 7 vite nga mosha 5-vjeçare trajnohesha në artin marcial të karatesë. Por pas një frakture në kockën e fibulës, duke pare fleksibilitetin që kisha arritur të fitoja nëpërmjet karatese, prindërit më regjistruan në një shkollë private baleti”, rrëfen ai.

Pas regjistrimit në në shkollën e baletit, edhe pse nuk e pëlqente aq shumë, pa kuptuar si, Xholindi u dashurua pas asaj që bënte, dhe menjëherë pas mbarimit të mësimit në shkollën e përgjithshme, shkonte të ushtrohej me dy profesionistët Mimoza Bekteshi dhe Andrea Kokeri.

“Në fillim nuk e pëlqeja dhe as që e mendoja që do të bëhesha një balerin, por me kalimin e kohës duke kuptuar më mirë, një princ në “Swan Lake”, një pirat në “Le Corsaire” apo ndonjë gladiator në Colosseum, gjërat ndryshuan. Gjithashtu lirshmëria për të shprehur ndjenjat dhe impakti që kishte muzika klasike tek unë, e forcoi edhe më shumë lidhjen time me baletin duke krijuar pasionin që me shtyu të zgjidhja këtë karrierë”, tha ai.

Përkushtimi i madh dhe pasioni, në moshën 17-vjeçare, Resmi Malko, një profesor në Central School of Ballet, pas një ore mësimi në sallën ku ushtrohej në Tiranë, vendosi që ta sugjeronte te bordi i shkollës në Londër.

Një vit më vonë e ftuan në shkollë vere dhe po ashtu i ofruan bursë të plotë studimi. Pas mbarimit të gjimnazit, në moshën 19-vjeçare, Xholindi u largua nga Shqipëria për të nisur një rrugëtim të gjatë të shoqëruar me aventura dhe sfida.

Gjatë periudhës së qëndrimit jashtë vendit, ai ka realizuar performanca të shumta që e kanë ndihmuar të rritet profesionalisht, duke prekur skena të mëdha.

“Performancat e realizuara kanë qenë të shumta duke qenë se në Tiranë me “International Dance Academy Albania” performonim rreth 2-3 herë në vit në koncerte të mëdha në skenën e Teatrit të Operas dhe Pallatit të Kongreseve. Rolet principale kanë qenë të shumta në balet si Giselle, Bayadere, The Sleeping Beauty, Swan Lake, La fille mal gardée, Pharaoh’s Daughter, Le Corsaire dhe gjithashtu role në valle folklorike të karakterit vendas dhe të huaj.

Po ashtu me role principale jam përfaqësuar edhe në Britani me Ballet Central Company gjatë këtij viti në skenat e Queen’s Theatre Hornchurch, The Core at Corby, The Hawth Crawley, Birmingham, Britten Theatre London etj, në rolet e Lakendem në “Le Corsaire” dhe rolin e James ne “Highland Fling” ku kam punuar me stafin e Matthew Bourne’s New Adventures, një nga kompanite më të mëdha dhe të vlerësuara në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Xholindi, i cili pavarësisht këtyre arritjeve, sërisht synon më lart.

Ëndrra e tij më e madhe është të bëhet pjesë e kompanisë Matthew Bourne’s New Adventures, pasi kjo kompani ka një stil të veçantë duke i dhënë më shumë përparësi performimit emocional dhe duke krijuar një impakt direkt në ndjenjat dhe emocionet e audiences. Gjithashtu dhe performimi në musicals në teatrot e West End mbetet një ëndërr për të, që me siguri do të realizohet pasi Xholindi është nga ata djem që punojnë pa reshtur dhe me pasion.

Për të qenë i sukseshëm në botën e baletit duhet të kesh pasion që tejkalon çdo gjë dhe kurrë të mos jesh i kënaqur nga punë që bën. Duke pasur këto dy elemente, thotë Xholindi, balerini arrin të ketë progres në teknikë, muzikalitet dhe interpretim.

Xholindi është shembulli i një të riu që të bën të besosh se ëndrrat realizohen. Mbase në botë, por realizohen. Dhe ne duhet t’i tregojmë për të frymëzuar brezin e balerinëve të ardhshëm.