Zbulimet e Hasan Masuricës përfshijnë konstruktimin e tricikletës, orës precize të murit, mullirit me erë dhe me ujë në fshatin Zarbicë të Bujanocit, mullirit për bluarjen e kafesë, peshojën precize, derisa në vitin 1899 ndërtoi aeroplanin, i cili u ngjit 50 deri 70 metra lart mbi fshatin Zarbicë në drejtim të Vranjës dhe kaloi afro katër kilometra…

Leximi i atlasit të inovatorëve evropianë është bërë sebep që për herë të parë ta shohë emrin e inovatorit të hershëm shqiptar, Hasan Masurica. Por, pas interesimit e kupton se ky emër po mungonte në tekstet mësimore që janë në përdorim në shkollat e Kosovës. Për këtë arsye, aktivisti i shoqërisë civile nga Prizreni, Emir Hukallo, me miqtë e tij ka ndërmarrë iniciativën për promovimin, përkatësisht përfshirjen e inovatorit, Hasan Masurica, në librat mësimorë, ashtu që edhe gjeneratat e reja të njihen me zbulimet e tij. Një gjë të tillë e konsiderojnë si obligim moral ndaj inovatorit të rrallë shqiptar.

“Dimensioni më i rëndësishëm për të cilin duhet të mësohet në shkollat tona për Hasan Masuricën ka të bëjë me mirënjohjen që ne si nipër e mbesa të tij duhet ta shprehim për kontributin që e ka dhënë përmes zbulimeve të tij”, ka thënë Hukallo.

Sipas tij, zbulimet e Hasan Masuricës kanë qenë konstruktimi i tricikletës, orës precize të murit, mullirit me erë dhe me ujë në fshatin Zarbicë të Bujanocit, mullirit për bluarjen e kafesë, peshojën precize, derisa në vitin 1899 ndërtoi aeroplanin, i cili u ngjit 50 deri 70 metra lart mbi fshatin Zarbicë në drejtim të Vranjës dhe kaloi afro katër kilometra, pastaj pushkën me një, pesë dhe njëzet e pesë fishekë, të cilat i demonstroi para Sulltan Abdul Hamidit në Stamboll, ndërkohë që nga viti 1914 gjer në vitin 1925 bëri kalendarin, në të cilin përcaktoi pozitën dhe rrugën e planetëve në gjithësi nga viti ‘52 gjer në fund të vitit 1952 të erës sonë.

Aeroplani i inovatorit shqiptar

Mungesa e inovatorit në tekstet mësimore

“Duke u nisur nga parimi, i cili thotë: ‘Ne jemi ata, çka ju kujtohet të tjerëve kur përmendet emri ynë’, promovimi fillimisht në mes të popullit tonë e pastaj edhe më gjerë i Hasan Masuricës do të ndikojë që të rritet vetëbesimi te popullata jonë se edhe ne mund të kontribuojmë në të mirën e njerëzimit. Krahas kësaj derisa e promovojmë në botën e jashtme, do të përmirësohet imazhi i vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Nëse kur përmendet disiplina na kujtohen japonezët, kur përmendet ushtria na kujtohen turqit, kur përmendet përpunimi i çelikut na kujtohen suedezët, kur përmendet tregtia na kujtohen arabët, atëherë promovimi i këtij kolosi inovator do të jetë arsyeja që botës t’i kujtohen shqiptarët, qoftë kur përmendet fluturakja e parë, qoftë arma me qitje në seri”, ka deklaruar Hukallo.

Hukallo konsideron se mospërfshirja e një inovatori të tillë në tekstet mësimore “i bie se ia kemi inatin vetes”. “Përfshirja e tij në tekste para së gjithash është ndriçim i të vërtetave tona historike… Prandaj, duke u nisur nga këto fakte që i përmendëm, i bëjmë thirrje ministrit të Arsimit që ta marrë në konsideratë kontributin e Hasan Masuricës dhe ta bëjë veprimtarinë e tij pjesë të teksteve shkollore. Në këtë mënyrë, për këtë inovator mund të mësohet në lëndët e shkollës së mesme teknike sikurse janë: Hyrje në industri, Hyrje në elektrikë, Hyrje në komunikacion dhe lëndë të ngjashme si këto”, është shprehur Hukallo.

Ngjashëm si ai, edhe miku i tij, Beni Kizolli, që aktualisht është drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit dhe ligjërues universitar, përmes një letre të hapur i ka bërë thirrje ministrit të Arsimit, që arritjet shkencore të Hasan Masuricës të përfshihen në tekstet shkollore. “Këto arritje shkencore të Hasan Masuricës janë vlera partikularisht të lindura te ne, por universalisht të nevojshme për të gjithë njerëzimin. Është nevojë e domosdoshme që të kanalizohen dhe të futen në plan-programet shkollore në drejtime që mësohen në shkollat e mesme teknike në Kosovë. Ato përveçse bartin njohuritë e përgjithshme për shkencën bashkëkohore, gjithashtu janë një mesazh për nxënësin shqiptar, se shkenca dhe dija nuk kanë adresë, ato janë dhunti të lindura”, thuhet mes të tjerash në letrën e hapur të Kizollit.

Biografia e shkurtër e Masuricës

Në bazë të të dhënave të publikuara në monografinë “Hasan Masurica – Inovator” të autorit të ndjerë, Kadri Halimi, Hasan Islami, i njohur në popull si Hasan Masurica, u lind më 22 janar të vitit 1869, në fshatin Krilevë, sot Komuna e Kamenicës. Hasani pasi kreu shkollën tetëvjeçare (Ruzhdije) në Gjilan, shkollën normale për mësues (Darul Mualimin) e kreu në Shkup më 1907. Ai punoi si imam xhamie dhe mësues në fshatrat Zarbicë, Dobërçan dhe Muçivërc. Hasan Masurica vdiq në fshatin Muçivërc të Kamenicës më 1942.

Gjatë jetës së tij është marrë me hulumtime shkencore dhe inovacione, si zbulimet e sipërpërmendura.

“Hasan Masurica pas kryerjes së shkollës fillore tetëvjeçare për arsye të shpërnguljes së dy vëllezërve në Turqi dhe vdekjes së vëllait të tretë shumë herët, si dhe për arsye të rrethanave ekonomike një kohë të gjatë ndërpreu shkollimin dhe qëndroi në shtëpi. Ai gjatë asaj kohe kishte ndërtuar një punëtori të vogël në shtëpinë e tij, gjegjësisht në Plevicë në Gjilan, dhe merrej me inovacione. Ai së pari bënte skica në letër e pastaj ato i realizonte në vepër. Kështu, Hasan Masurica më 1899 ndërtoi aeroplanin (ballonin) nga dërrasat e plepit dhe pëlhura të lyer me dyll, në fshatin Zarbicë atëbotë rrethi (kazaja) e Vranjës, me të cilin i biri, Muharremi 12-vjeçar u ngrit në ajër 50 deri 70 metra lart duke kaluar një distancë prej afro katër kilometra”, thuhet në monografi.

Skica për mullirin me ujë dhe me erë

Pushkët e demonstruara para sulltanit

Madje, sipas autorit Halimi, pushkët me një, pesë dhe njëzet e pesë fishekë, i demonstroi para Sulltan Abdul Hamidit në Stamboll.

“Sulltan Hamidi mahnitet me funksionin e pushkëve që kishte konstruktuar Hasan Masurica, andaj i premton kushte të mira pune e shpërblim përrallor në Stamboll. Mirëpo, Azemi, Sherifi dhe Osman Sedllari që ishin të informuar mirë për vlimet në Turqi, e sidomos për përgatitjen e kryengritjes së popujve të sunduar të Ballkanit, pra edhe të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, pas bisedës së fshehtë me Hasan Masuricën, një natë Hasani hedh skicat dhe armët në Bosfor dhe i ndihmuar nga vendasit e tij ikën nga Dollma Bahçeja dhe i veshur si një dervish arrin të kalojë kufirin në Edirne dhe të kthehet në Kosovë. Në vitin 1909, Hasan Masurica u bashkohet shumë patriotëve të shquar të Gjilanit me rrethinë për hapjen e shkollave shqipe në Gjilan dhe fshatrat e tij”, ka bërë të ditur autori Halimi, duke theksuar se në Luftën Ballkanike mori pjesë aktive kundër ushtrisë bullgare në fshatrat e komunës së sotme shqiptare të Vranjës e të Bujanocit, me ç’rast qe plagosur në fytyrë, dhe më 1916, kur bullgarët e dogjën fshatin Zarbicë, ku merrej me inovacione, ia kishin djegur shtëpinë dhe bibliotekën shumë të pasur me rreth 400 ekzemplarë.


Dekorata post mortem dhënë Masuricës nga presidenti shqiptar, Bujar Nishani, më 2017

Për këto angazhime, në maj të vitit 2017, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka dhënë Hasan Masuricës (post mortem), “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, respektivisht “për veprimtarinë e tij patriotike dhe trimërinë e treguar kundër pushtuesve bullgarë, si dhe në vlerësim të lartë shtetëror për kontributin e dhënë në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në Gjilan”.

Sipas Hukallos, tani është koha që edhe Kosova ta përmbushë obligimin e vet, duke i dhënë inovatorit të hershëm hapësirën që e meriton në tekstet mësimore, “në mënyrë që ai të jetë burim frymëzimi për gjeneratat e reja dhe shkencëtarët në ardhje”.

Aktivisti i shoqërisë civile nga Prizreni, Emir Hukallo, me miqtë e tij ka ndërmarrë iniciativën për promovimin, përkatësisht përfshirjen e inovatorit, Hasan Masurica, në librat mësimorë, ashtu që edhe gjeneratat e reja të njihen me zbulimet e tij