Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore kishin shkelur masat kryesore kundër pandemisë COVID-19. Pa maska e pa distancë fizike, secila nga to kishte mbledhur më shumë se 30 veta sa ishte e lejuar, nëpër tubime elektorale. E për këtë, Inspeksioni i Komunës së Prishtinës kishte shqiptuar gjoba për tubimet elektorale që mbaheshin në kryeqytet, raporton Express

Turma njerëzish duke dëgjuar premtimet e fushatës zgjedhore shiheshin në çdo cep të Kosovës gjatë muajve janar dhe shkurt.

Politikanët e të gjitha partive, ishin prezentë në fshatra e qytete për të kërkuar votën e qytetarëve. Ata madje futeshin edhe nëpër odat e qytetarëve, për të bashkëbiseduar rreth halleve të tyre.

Kështu, ata po shkelnin çdo masë kundër koronavirusit, që ishte në fuqi. Por, tubimet e partive që u mbajtën në kryeqytet, nuk mbetën pa u dënuar.