Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli

Manastiri i Studenicës së Pejës (Istogut) është lokalitet arkeologjik në fshatin Studenicë që gjendet 8-9 km në perëndim të Istogut dhe rreth 20 km në verilindje të Pejës. Është i njohur së paku nga viti 1908, kur një fshatar duke gërmuar në rrënoja të Manastirit Studenica, ka ndeshur një kambanë dhe në mbetje tekstili. Tekstili është dërguar në Patrikanë të Pejës, ndërkaq kambana është vendosur në Kishën Françeskane të Pejës. Raporti i parë profesional për rrënojat e Manastirit të Studenicës (pa gërmime) është bërë në vitin 1936. Raporti është shoqëruar edhe me disa foto të kohës. Gërmime sistematike janë bërë më 1966-1970. Pas gërmimit janë kryer konservime të domosdoshme. Sipas gërmimeve janë arritur një sërë rezultate. Është dëshmuar se kompleksi mesjetar i manastirit, si seli ipeshkvnore e Fosnës (Hvosnës), pas pushtimeve nemanjide dhe pas vendosjes së organizmit kishtar ortodoks të Rashës në këto anë (pas vitit 1219), është ndërhyrje mbi një ndërtim të tërësishëm kulturor paleokristian (shek. IV-VI), dhe të rindërtimeve të saja bizantine gjatë mesjetës së hershme (deri në shek. XI).
Nga fundi i shek. XIV, respektivisht nga viti 1381 kjo seli ipeshkvnore do të ngritët në mitropoli të kishës ortodokse të Rashës. Kisha kryesore e manastirit, njënefëshe, është një ndërhyrje pas vitit 1219, mbi bazilikën paleokristiane trinefëshe dhe kishte një absidë altari të madh, nga jashtë katrore, nga brenda gjysmërrethore, më pastaj kishte transeptin e këndimit, traveun e shkurtër perëndimor dhe narteksin e gjerë. Pjesa e mesme e naosit është ngritur me kube. Kisha është murosur me sigë të gdhendur nga mjeshtër të trojeve bregdetare romane-katolike. Këtej, edhe ndërhyrjet e kryera këtu janë nën ndikimin e romanikës bregdetare. Gjetjet e fragmenteve të shumta nga suvaja e afreskave, provohet se kisha ka zotëruar dekorime afreskash. Ndërkaq sa i përket skulpturës janë gjetur vetëm ca fragmente.
Rrënojave të bazilikës paleokristiane u takonin edhe dy varreza nëntokësore të murosura për shumë njerëz, si dhe qeramika e hershme bizantine.
Nga pjesët e tjera ndërtuese të manastirit është zbuluar salla e ngrënies dhe konakët, të vendosur në veri te kishës. Në qendër është vendosur rezervuari i ujit. Shihen gjithashtu e murit mbajtës të manastirit, sidomos në pjesën veriore dhe themelet e një kulle katrore, ku mund të ketë qenë dera kryesore. Çdo gjë tjetër është e shkatërruar!
Foto: piktori akademik Nagip Belegu, detaj nga Bazilika e Studenicës së Pejës (Istorgut), shek. IV-VI.