“Një pjesë e 4 mijë refugjatëve afganë që do të vijnë në Shqipëri do të mbetet përgjithmonë këtu”. Kështu ka thënë në një intervistë për të përditshmen franceze Libetarion kryeministri shqiptar Edi Rama i cili ka përgënjeshtruar edhe deklaratën e presidentit Macron se Shqipëria paguhet për akomodimin e tyre.

I pyetur drejtëpërdrejtë nga korespondenti i kësaj gazete në Tiranë, Luis Seiller për deklaratën e shefit francez të Shtetit, Rama është përgjigjur thatë: “Eshtë e pavërtetë”. Ai ka shpjeguar më pas se një pjesë e afganëve që kanë mbërritur kanë punuar në vendin e tyre për organizata jo qeveritare dhe kompani private dhe se janë ato që mbulojnë shpenzimet e tyre por pa i dhënë asnjë cent shtetit shqiptar.

Kryeministri Shqiptar ka pohuar se SHBA-të i kanë propozuar Tiranës zyrtare financim për ngritjen e kampeve të refugjatëve , por se kjo gjë nuk është pranuar nga qeveria Shqiptare. “Sepse kampet janë dezhumanizuese dhe krijojnë probleme me popullsinë” ka thënë ai.

Edi Rama ka pranuar gjithashtu se Shqipëria po përpunon një plan për integrimin e tyre në shoqëri duke filluar që me fëmijët. Ai ka pranuar se jo të gjithëve do tu jepet viza për të shkuar në SHBA dhe disa prej tyre do të mbeten gjithmonë në vend. “Disa prej tyre janë gazetarë dhe teknikë dhe po shikojmë mundësinë ti integrojmë në sistemin tonë mediatik” tha ai duke e shoqëruar si gjithmonë intervistën me kritikat për Europën që ka rënë peng i ksenofobisë e duke shtuar se etërit e saj themelues do kishin pasur turp po të na shihnin”.