Kushtetuesja s’kishte si vendos ndryshe. Mocioni dhe taktika [ndoshta] intrigante, por e zgjuar e Presidentit Thaçi ndryshuan gjithçka në disfavor të Qeverisë së Albin Kurtit. Ky përveç se humbi lojën nga padija dhe kokëfortësia, humbi edhe besimin të jetë në të ardhmen opozitë e denjë

Shkruan: Xhemal AHMETI

Ishte e qartë se Gjykata Kushtetuese do të vendos kështu siç bëri. Ajo s’kishte rrugë tjetër përveç se t’u bindet shkronjave nga të cilat ekziston edhe vetë ajo si instancë [Lexo: Presidenti veproi sipas kushtetutës]. Hashim Thaçi e rrëzoi Kurtin jo vetëm nga pushteti, por edhe nga Galeria e «revolucionarëve» jomuzhikë. E hoqi nga lista [fiktive] e të mençurve të Republikës. Edhe në këtë betejë fatkeqe për vendin, «gjarpri» dëshmoi se mbetet kryefjala dhe kallëzuesi i çdo intrige dhe strategjie të brendshme politike. Jo patjetër se ka kapur shtetin porse del vazhdimisht kilometra larg më i zgjuar, më perfid se gjithë konkurrenca e tij bashkë – brenda e jashtë.

Që kur presidenti nisi letrat rafal drejtuar mandatarit u pa në horizont vendimi i djeshëm. Ish-Qeveria Kurti ose nuk pati kapacitete ta njoh këtë realitet o vërtet ende beson se koha e dhunës dhe aktivistëve me dorëza, këmisha të zeza, me mjekra synetçe ende nuk ka perënduar. Ajo mund të mos ketë perënduar diku tjetër, në kulturosferat shqiptare patjetër. Demokracia pluraliste liberale ka plotë defekte e hendeqe por një të mirë e ka: është i vetmi sistem politik praktik që ka shpik deri tash truri i dykëmbëshit, i cili parandalon që në start instalimin e tiranëve me «votën legale të një pjesë të masave».

Dështimin e këtij aksioni të monizmit të pushteteve, përveç sistemit e ndihmoi edhe vetë ish-Qeveria e papërvojë dhe padija e timonit të saj. Po të kishte Kurti dije e zgjuarsi ai nuk do çonte ujin në mullirin e kundërshtarit me sjelljet që bënte, por do t’u përgjigjej afateve dhe nuk do të acaronte partnerin duke e shkarkuar atë. Deri në fuqizimin e pozitës ai do të bënte antilojën; do të përdorte gjithçka për të mos shkelur Kushtetutën dhe Ligjet, duke mos i interpretuar ato siç nuk janë. Çdo jurist që i thoshte se Kushtetuesja do të vendos njëjtë si dikur kur s’kishte mocion dhe letra zyrtare mandatimi nga ana e presidencës, djersitej nga brenda poashtu për fitoren e Thaçit e jo të atij që e paguante. Kurti rra nga pushteti ngase s’di të merret me politikë. Ai humbi shansin – jo se nuk ia doli ta çkap shtetin, gjë që fatkeqësisht rikapte me falangat e tij – por nga padija dhe nga grumbullimi rreth vetes i gjithë aktivistëve të merituar, por jo të përgatitur intelektualisht për beteja politike brenda një sistemi pluralist.

Dështoi në qeverisje, a do të dështojë edhe njëherë më shumë jashtë saj?

II.

Histeria e aktivistëve të PVV nuk habit askënd. As ato kërcënimet për dhunë konkrete nga patriarku i njërës nga ministret e ish-Qeverisë nuk janë shkëndija e një situate të re. Ajo që habiste botën gjatë gjithë kohës ishte vetëdenoncimi i gjendjes së partisë: Organizonin protesta ende pa dalë vendimi. Ishin të sigurt se do jetë kundër tyre? Përndryshe për çka vë njeriu gjithë aparatin ne shërbim të revoltës ndaj diçkaje që ende nuk është? A u vinte siguria nga fakti ngase e dinin se Gjykata është e kapur? Jo. Gjykata vërtet do kapej (ose rikapej) nëse vendoste ndryshe. Domethënë sapërkaq Kurti ishte inteligjent ta dijë se vendimi do jetë kundër tij. Padija e tij u zhvesh pastaj në dy gjëra konkrete: 1. Në përpjekjen që nëpërmjet protestave dhe dhunës verbale psikotoksike rrjetit social të frikësojë e kërcënojë Gjykatën, që ajo të vendos jo siç i thotë dokumenti bazë i sistemit por siç urdhëronte ai dhe 2. Në Bindjen se me konfrontimin e hapur me përfaqësuesit e 75% të elektoratit do të mundet ta mbajë pushtetin brenda një shteti shumëpartiak.

Ithtarët e tij, me të drejtë të frustruar, tash do thonë e bëri me qëllim për zgjedhjet që vijnë. Jo. PVV humbi shumë autoritet tek çdo njeri me pak arsimim, tek çdonjëri që e di se shteti ligjor nuk bëhet me urdhra si në kohën e Leninit – duke i rrënuar e ngritur në rotacion – por duke i zhvilluar, çliruar e profesionalizuar ato. Ende nuk ka në botë një shtet ku nuk ndodh korrupsioni, por në perëndim ai është minimizuar duke i përshtatur, implementuar ligjet dhe duke forcuar institucionet e shtetit. Përveç ithtarëve të Kurtit tjerët e dinë se po të mos ishte KFOR aty PVV do të ecte drejt një situate që do të vënte në rrezik jo vetëm sigurinë e qytetarëve por edhe ekzistencën e shtetit.

III.

Një opozitë dinamike i duhet Kosovës patjetër. PVV nuk do jetë më ajo që ishte dikur: ajo u vetë-demantua sapo u ul foteljeve të pushtetit. PDK që aktualisht bën poza të jetë opozita s’ka as gjasën më të vogël të afirmohet si e tillë. Ajo ka nisur të marrë një profil që e çon jo drejt regjenerimit por drejt fatit të Partisë së Gëzim Kelmendit. Donë të thotë kjo se Kosova mbeti pa opozitë, veçanërisht në rrethana kur edhe shoqëria civile u degradua në një occasion -pararojë të padenjë që zë rrugët për atë që paguan më së miri?

Për momentin kështu duket. Kosova humbi opozitën gati siç e humbi Shqipëria? Ose Albin Kurti tash merr kohë dhe i lexon librat [bashkë me gjithë detashmentin e këshilltarëve dhe ministrave të tij] që ia mveshin t’i ketë mësuar përmendsh dhe e kupton drejtë shumicën, të cilën ai synon ta drejtojë. Kupton se kjo shumicë donë institucione, demokraci të zhvilluar, mirëqenie dhe shtet ligjor e jo demagogë që tundin shamitë e kuqe nga ballkonet.