Kreu i kishës Ortodokse të Serbisë, Patriarku Irinej i tërhoqi vërejtjen atyre që vlerësojnë se Vucic po ‘tradhton Kosovën’, se kjo është e paarsyeshme pasi kjo nuk ka ndodhur. Irinej me gjithë se vlerësoi vullnetin e popullit serb që e votoi atë në zgjedhjet e verës, paralajmëroi se Perëndimit i pengon lidhja me Rusinë.

Këtyre ditëve kishte një skandal të ndërlidhur me vizitën e presidentit rus Putin në Beograd që e kishin dëshiruar edhe ai dhe presidenti serb, por që nuk ishte konfirmuar nga rusët e që u njoftua nga mediat serbe se Putin e kishte anuluar.

Irinej e vlerësoi punën e Vucic deri tani dhe shtoi se Serbia gjendet në pozitë të rëndë dhe u ankua se perëndimit po i pengon lidhja e saj me Rusinë.

Ai shtoi se presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic kishte trajtuar shumë probleme të Kosovës dhe sipas tij ishte dëshmuar si një burrështetas i përgjegjshëm, për shumë çështje kombëtare. Patriarku serb theksoi gjithashtu se qytetarët dhanë gjykimin për punën e Vucic në zgjedhje.

I pyetur se a janë kushtet që çështja e Kosovës  t’i afrohet zgjidhjes së saj dhe si do të duket ajo, Irinej tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë fillimisht në çështjen e kthimit të të zhvendosurve dhe më pas të flitet për tema të tjera.

“Unë gjithmonë kam thënë që gjatë zgjidhjes së problemit në Kosovë, kushti i parë duhet të jetë kthimi i sigurt i rreth 250,000 serbëve të dëbuar në periudhën nga 1999 në 2004. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë së pari për atë çështje dhe vetëm pastaj të organizojë bisedime për tema të tjera”.

Duke komentuar zërat në Serbi se një pjesë e opinionit atje vazhdimisht mendon për një tradhti të mundshme të interesave kombëtare nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vucic, Irinej tha se nuk duhet gjykuar askënd pa e ditur se çfarë do të ndodhë.