Ka dhjetë ditë që thirrja për nominim të kandidatëve për një gjyqtar të Kushtetuesës është hapur nga Kuvendi i Kosovës pasi Arta Rama-Hajrizit, kryetare e tanishme e Gjykatës Kushtetuese, i përfundon mandati në qershor. Fejzullah Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, u përfol si njëri nga personat që do të konkurron për ta zënë një ulëse në këtë institucion.

Në një bisedë me Gazetën Online “Reporteri.net”, Hasani ka thënë se e ka parë konkursin për t’u bërë anëtar i organit përfundimtar të intepretimit të Kushtetutës.

Por, ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme, tash profesor i jurisprudencës në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, deklaroi se po e shqyrton mundësinë e konkurrimit për këtë pozitë.

“Po e kam pa konkursin për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. E di që ka kohë deri më 21 prill për me konkuru. Unë ma herët nuk kam apliku. Jam duke e shqyrtuar mundësinë e konkurimit, por ma shumë jam që nuk do të konkuroj”, tha Hasani.

Ai ka shpjeguar edhe arsyen pse mund të mos konkurrojë.
“Është tallje me veten. Se deri tash ka qenë proces i politizuar, kanë shku njerëzit e politikës në Gjykatë. Nuk e di nëse kanë ndryshu tash situata ama është tallje me vetën”, deklaroi Hasani, shkruan Reporteri.net.

Madje ish-kryetari i Supremes ka treguar shembuj të mëhershëm të kolegëve të tij, të cilët ndonëse aplikuan në proceset e zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses, nuk u arritën të bëhen pjesë e saj.
“Shumë shokë të mi të gjykatave kanë apliku çdo herë. Asnjë s’është pranu. As në listë të ngushtë nuk i kanë fut. Shumica e gjyqtarëve vijnë nga teoria, ata bëjnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të gjykatavë”, tha Hasani për Reporteri.net.

Kujtojmë që mundësia e konkurimit për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese si gjyqtar është i hapur deri me 21 prill të këtij viti.

E për t’u bërë pjesë e Kushtetueses, përveç se duhet të jenë jurist të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, gjyqtarët e saj duhet të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvoje profesionale përkatëse.

Ditë më parë Reporteri.net në një shkrim ka shpjeguar mënyrën se si shkon procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve e kriteret që kërkohen për t’u bërë pjesë e Kushtetueses.