Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lekë Dobruna, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shpalljen të pafajshëm të anëtarëve të Komisionit për verifikim të listave të veteranëve, nga akuzat për fryrje të listave.

Në një shkrim në Facebook, ai ka bërë të ditur se vetë, edhe pse ishte plagosur në luftë, i është refuzuar statusi i invalidit.

Me këtë rast, ai ka ndryshuar edhe sloganin që doli pasi krerë të UÇK-së u arrestuan nga Gjykata Speciale nën akuzat për krime lufte. Sloganit “Liria ka emër”, Dobrunia ia shtoi edhe fjalën “ferr”.

“Sot dolën të pafajshëm disa prej shumë komandantëve që i frynë listat. I frynë listat me UDB-asha, kurva të lira, djem të biznesmenëve, këngëtarë tallava, me hajna të votave, me servila, me dajë e me nipa e mbesa e teze, me aktivistë të partive. Sot unë, mbas 20 vitesh, i plagosur më 13 prill, në krye, i shëruar në spitalin e Bajram Currit dhe në spitalin ushtarak në Tiranë, më është refuzuar statusi i invalidit. Ju priftë e mbara. LIRIA KA EMËR ‘FERR’”, ka shkruar ai.