Shkruan: Mathieu AREF

…vijon nga pjesa e dytë

-Idetë e hedhura nga ju janë interesante për shqiptarët. A mund të ketë iniciativa të tjera, jo thjesht libra, të cilat do të mund të bënin një ndryshim të historisë së shkruar?

Unë mendoj që aktualisht ka argumente të mjaftueshme, prova dhe elemente të spikatura, që u lejojnë historianëve, studiuesve dhe dishepujve të tyre të rishkruajnë historinë e Greqisë parahelenike.

Nëse mund të them Greqia “parahelenike”, kjo ndodh sepse historia e Greqisë “strico sensu” (ajo para shekullit VIII para Krishtit) është e njohur dhe e klasifikuar pothuajse saktë. Praktikisht është thënë gjithçka për atë Greqi “strico sensu”, të cilës unë nuk mund t‘i shtoj dot asgjë.

Pra, unë nuk kam absolutisht asgjë çka të them mbi këtë lloj Greqie (atë të Solonit, atë të Pizistratit apo Perikliut), veç faktit të të qenit të admirueshme dhe se njerëzimi i detyrohet për gjithë çka më të bukur e më me vlerë. Mirëpo pellazgët diç kanë lënë aty.

Pikërisht këtë diçka historianët, linguistët dhe arkeologët tanë modernë nuk kanë denjuar ta shquajnë. Madje, një Greqi e tillë (pas shekullit VIII: arkaike, klasike, e helenistike) as nuk bën pjesë në studimet dhe hulumtimet që unë kam kryer në dy librat e mi.

Kështu, nuk ka asnjë tregues që të provojë se Greqia ekzistonte para shekullit VIII para Krishtit. Ndërtimi i “tempujve”, shfaqja e qytezave (“Polis”), konfederatat religjioze (amfiktionet), shpalosja e stileve arkitekturore (dorik, jonik, korintas), zhdukja e mbretërimeve dhe shfaqja e tiranisë, ekspansioni kolonial (emporion=tregje dhe apoikoi=koloni), krijimi i tempullit të Delfit, shfaqja e alfabetit dhe e të parave shkrime greke, shfaqja e lojërave olimpike, shekulli i artë i thënë i “Perikliut”: gjithë këto ngjarje marrin jetë pas shekullit VIII. Sa për Homerin, të shumtë janë ata që mendojnë se nuk ka ekzistuar ose që nuk ka shkruar kurrë asgjë.
Fakti thotë se ai nuk ka shkruar, pasi gjuha greke është shkruar vetëm nga fundi i shekullit VII. para Krishtit. Ai mundi të ekzistojë si rapsod. Për rrjedhojë, poemat e Homerit (“Iliada” dhe “Odiseja”) mundën të shkruhen vetëm në shekullin VI, në epokën e Pizistratit. Këto poema epike kanë për origjinë traditën gojore, të përçuar nga brezi në brez prej rapsodëve pellazgë.

Grekët i morën dhe i kënduan (duke i përpunuar për kauzën e tyre) me rapsodët e tyre. Keqkuptimi vjen prej faktit se ngatërruam gjithçka: Greqinë para-helenike (para shekullit VIII) me Greqinë në bllok (pas shekullit VIII). Le të mos harrojmë as faktin se studimet mbi pellazgët jo vetëm sikur u harruan, por edhe u mënjanuan plotësisht.

Le të themi se disa studiues modernë (historianë, arkeologë dhe gjuhëtarë) kanë vënë në dukje se pellazgët përbëheshin prej popujsh të ndryshëm, mandej të zhdukur trup e shpirt, pa lënë as më të voglën gjurmë: etni e gjuhë! Ndërkohë që kjo etni vijoi me ilirët në perëndim dhe trakët në Lindje.

Ndërkohë që të gjithë autorët e lashtë lanë gjurmë të shkruara, sipas të cilave ky popull parahelenik ka pas qenë shumë i lashtë (njerëzit e parë) dhe që në kohën e Herodotit në shekullin V para Krishtit popullonin ende krahina të tëra (Arkadia, Argolida, Atika, Tesalia, Lakonia etj.), të kuptojmë ishujt (Kreta Lemnos, Lezbos dhe veçanërisht Samosin)!

-Si e shihni historinë e Ballkanin sot?

Ka pak kohë që u konfirmua shprehja “baruti i Ballkanit” me luftën dhe problemin e Kosovës (e mbetur ende pezull). Mendoj se shpirtrat dhe mendësitë kanë evoluar ndopak dhe fantazma e luftës po largohet gjithnjë e më tepër, veç nëse qëllimisht dhe pozicionet politike të Fuqive të Mëdha, sidomos Bashkimit Evropian, ashpërsohen ose ndryshojnë. Aktualisht, Kosova është një nga problemet më të thekshme në Ballkan. Pa rregullim paqësor, të barabartë dhe të drejtë, ndoshta s‘do të ketë kurrë paqësim në rajon.

Sa për vete, jam për pavarësinë e Kosovës, sepse pas gjithë atyre fatkeqësive dhe krimeve (le të themi etnocid) dhe urrejtje mes dy popujve (serbë e kosovarë) nuk mund të bashkëjetojnë dhe të ndërtojnë së bashku një shtyhet që të mund të funksionojë.

Me t‘u rregulluar ky problem, Ballkani mund të përfytyrojë në gjirin e Evropës së bashkuar një forcë dinamike dhe ndërtimtare për ardhmërinë e këtij rajoni të mbetur fatkeqësisht pa trashëgimi, i shqyer, i tollovitur dhe i izoluar pas shumë shekujsh pushtimi otoman dhe dekadash komuniste.

-Shumë njerëz mendojnë se e kaluara nuk duhet trazuar për hir të së ardhmes, ndërsa ju e trazoni atë. Për çfarë shërben kjo?

Sigurisht që do të më bëhet pyetja se përse i trazoj kujtimet e vjetra, kur e ardhmja ka vlerë më tepër? Po, por e ardhmja është gjithherë e lidhur me të shkuarën. Nëse ne ekzistojmë, kjo ndodh sepse të tjera kanë ekzistuar para nesh dhe na lejuan të jemi ata që jemi, duke na dhënë atë që kemi më të çmuar.

Kur kjo e shkruar mbetet në hijen ku është degdisur, e ardhmja mbetet e errët. Për çfarë shërben të zgjosh të shkuarën? Sigurisht për të kuptuar më mirë të ardhmen. Çështja që na intereson këtu, nuk është të flasim për një të kaluar të qartë dhe të kthjellët, por për një të shkuar që na mbahet e fshehur dhe që manipulohet për një kauzë të njëanshme.

vijon në pjesën e katërt…..