“Javët e Kulturës Shqiptare” janë ngjarjet më të rëndësishme kulturore, artistike dhe sportive të komunitetit shqiptarë në Austri. Ato tashmë kanë krijuar emër, traditë, janë bërë institucion në vete, jo vetëm për aktivitetet e llojllojshme por, edhe si vendtakim, bashkim dhe përafrim me njëri-tjetrin.

Edhe pse në kohë pandemie, “Javët e Kulturës Shqiptare në Austri 20-21” edhe këtë vit do të organizohen. Për të shtatin vit më radhë këto aktivitete mbajnë vulën e organizimit të Këshillit Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Me moton “Bukë, kripë e zemër”, “Javët e Kulturës”, vijnë para publikut shqiptarë dhe austriakë për të treguar traditën, bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësinë e popullit tonë.

“Planin për organizimin e “Javëve të Kulturës” e kishim mbaruar para pandemisë. Gjithçka tjetër ishte shumë sfiduese, duke filluar që nga pasiguria se a do të lejohen të mbahen aktivitetet. Situata më e komplikuar ishte nga fakti se sallat do duhej rezervuar. Megjithatë, momenti i relaksimit erdhi kur ne si “Këshillë Koordinues i Shoqatave”, vendosëm që mos të konkretizojmë asgjë deri një muaj para eventeve”, tha Kaltrina Durmishi, kryetare e KKSHSHA-së.

Të merret iniciativë për të organizuar të gjitha këto aktivitete në këtë kohë të pakohë, natyrisht që nuk ishte edhe aq e lehtë.
“Të marrësh vendime, duhet të kesh guxim. Kur ke guximin, tejkalohet gjithçka. Ne e kishim guximin dhe vendimi për të organizuar nuk ka qenë i vështirë. Pjesa më e vështirë ndoshta kanë qenë konsultimet më të gjithë anëtarët dhe shoqatat bashkëpunuese, ngase kishte mendime të ndryshme. “Javët e Kulturës” janë bërë institucion në vete dhe do të ishte e dhimbshme nëse kishim qenë të detyruar për t’i anuluar këto aktivitete”, thekson Kaltrina.