Kancelarja Merkel do të pritet nga Presidenti i SHBA Biden në Uashington më 15 korrik. Merkeli do të jetë e para nga kryeministrat e Evropës që viziton Shtëpinë e Bardhë që kur mori detyrën Biden.

Vizita do të forcojë lidhjet e ngushta dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Në takim, vëmendja do të përqendrohet, ndër të tjera, te sfidat e pandemisë së Coronas. Tema të tjera janë ndryshimi i klimës dhe mbështetja për përparimin ekonomik dhe sigurinë ndërkombëtare mbi bazën e vlerave të përbashkëta demokratike, tha ajo.

Merkeli do të jetë e para nga kryeministrat e Evropës që viziton Shtëpinë e Bardhë që kur mori detyrën Bideni.

“Ne mund të konfirmojmë që Kancelarja do të bëjë një vizitë pune në Uashington më 15 korrik, me ftesë të Presidentit të SHBA Biden. Detajet e programit do të njoftohen në një datë të mëvonshme”, tha një zëdhënës i qeverisë nga pala gjermane.

Ky nuk do të jetë takimi i tyre i parë ballë për ballë dhe madje as i pari që kur Bideni u zgjodh president. Merkeli dhe Bideni do të takohen që sot në samitin e G7-ës në Cornwall të Anglisë së Jugut.

Konsultimet tre ditore të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të shtatë vendeve të industrializuara fillojnë pasdite. Edhe këtu do të bëhet fjalë,ndër të tjera, për krizën e Coronas, mbrojtjen e klimës dhe specieve. G7 përfshin Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe SHBA. Bashkimi Evropian përfaqësohet gjithashtu në të gjitha takimet.

Synohet një fillim i ri në marrëdhënie

Sipas gazetës gjermane “Handelsblatt”, temë e bisedimeve Merkel -Biden pritet të jenë edhe propozimet e Berlinit për të zbutur konfliktin për gazsjellësin Nord Stream 2. Kohët e fundit, Presidenti i SHBA u afrua me Gjermaninë në mosmarrëveshjen për tubacionin Nord Stream 2 në Detin Baltik. Bideni hoqi dorë nga sanksionet e gjera kundër projektit gjermano-rus. Arsyeja që dha ishte se masa të tilla ndëshkimore “kanë një ndikim negativ në marrëdhëniet e SHBA me Gjermaninë, BE dhe aleatët dhe partnerët e tjerë evropianë”.

Të dyja palët po përpiqen për një fillim të ri pas pikës së ulët në marrëdhëniet gjermano-amerikane në epokën e Presidentit të SHBA, Donald Trump. Trumpi sulmoi në mënyrë të përsëritur Gjermaninë dhe Merkelin. Ndërsa Bideni nuk lë dyshim se sa e rëndësishme është marrëdhënia me Gjermaninë për të./