Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberal-Demokratike, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ia ka tërhequr vërejtjen Kishës Ortodokse Serbe për veprimet që çojnë ujë në mullirin rus, ndërsa ka treguar për rreziqet nga kthimi në kohën e Millosheviqit, aq të mbushur me vrasje e vdekje.

Në vazhdim postimi i plotë i Jovanoviqit:

“Koha është, sërish, ta themi të vërtetën, të marrim qëndrim, t’ia bëjmë të ditur opinionit. Gjithë ajo që po ndodh sot në Mal të Zi e pret edhe Serbinë nëse vendos ta zgjidh çështjen e Kosovës. Sot, nesër, atëherë kur të provojmë të qërojmë hesape me mbeturinat e Serbisë postmillosheviqjane. Ndërsa çështja e Kosovës do të jetë çarku i ngrehur për këtë. Trazirat dhe sulmet në Mal të Zi, të cilave po iu prin kisha, janë mesazh edhe për Serbinë që të mos provojë të shmanget nga Gazimestani, se është shoqëri kriminale edhe më tutje plotësisht e fuqishme, me rrënjë edhe në shoqërinë serbe edhe malazeze, e vendosur sërish të na fusë në konflikte qytetare

Ligji mbi fetë është çështje e institucioneve dhe shtetit malazez. Mali i Zi është shtet sovran dhe askush nuk ka të drejtë që me vetëdije ta destabilizojë. Kjo që po bën kisha në Mal të Zi është turp për të si komunitet fetar. Në vend të pajtimit, bashkëjetesës, sot kisha po nxit ndërsa po thirret në fe. Përdor ndjenjat fetare pa u matur, duke rrezikuar ta fusë në konflikt me popujt e tjerë. Kisha sot është dorë e zgjatur e Rusisë dhe e qarqeve nacionaliste që e kanë për detyrë. Edhe këtë skenar e njohim.

Po ata që më 2016 gjatë përpjekjes për puç në Mal të Zi pyesnin nëse duhej menjëherë të bënin të njëjtën gjë edhe në Serbi, duke krijuar kaos nëpër qytetet malazeze sot u dërgojnë mesazhe autoriteteve në Serbi se çfarë i pret nëse ndërmarrin zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kisha sot mallkon Millo Gjukanoviqin ashtu si më 2001 na mallkonte neve, më 2003 vriste, ashtu siç për shkak të negociatave me shqiptarët dhe tentativës për marrëveshje historike dhe për të gjithë marrëveshje për ardhmërinë nga viti 2013 mallkon Aleksandar Vuçiqin dhe Qeverinë e Serbisë.

Duhet të kuptojmë se kemi luftuar e vdekur për qëllime të gabuara dhe duhet të përpiqemi të dalim nga llogoret nga të cilat shikohemi vetëm përmes grykës së pushkës.

Thuajse nuk kemi vrarë e nuk kemi vdekur mjaft”.