Kuvendi i X zgjedhor që po konsiderohet si më i rëndësishmi në rrugëtimin politik 31 vjeçar të LDK’së pritet të ketë “shtyrje bërrylash” në atë se kush do ta marrë drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës. Ish-themeluesi i LDK’së, Jusuf Buxhovi tha se Kuvendi zgjedhor i LDK’së është një farsë dhe kryetari i ri do të jetë nga zarfi i Isa Mustafës. 

Më 14 mars LDK’ja do t’i mbledh 355 delegatët për të nisur kapitullin e ri të partisë. Subjekti politik më i vjetër në Kosovë ka shënuar rezultatin më të dobët të saj në histori të zgjedhjeve.Në procesin elektoral të 14 shkurtit LDK’ja u rendit e treta dhe arriti të mar vetëm 12,64 përqind të votave, përkthyer në mandate 15 deputetë.

Isa Mustafa ka vendosur që të japë dorëheqje pas rezultatit në zgjedhje dhe në Kuvend të LDK-së për dy vitet e ardhshme të emërohet një kryetar i përkohshëm i subjektit, që do ta udhëheqë partinë drejt zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen këtë vit.

Disa nga pretendetët për kryetar të LDK’së janë, Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Melihate Tërmkolli e Fatmir Sejdiu ku disa kanë deklaruar publikisht se do të garojnë për shef të LDK’së e disa janë përmendur si kandidatura të mundshme.

Por një nga themeluesit e LDK’së Jusuf Buxhovi kuvendin e 14 marsit të LDK’së po e quan farsë dhe sipas tij kryetari i ri do të zgjidhet me bekimin e Isa Mustafës.

“Ky Kuvend është një farsë që duhet t’i ruaj pozicionet e udhëheqësisë së deritanishme që e ka pru LDK’në në këtë gjendje. Nuk mund të pritet kurfar përmirësimi nga kryetari i ri i cili nuk mund të jetë tjetër pos nga zarfi i Isa Mustafës”, tha Buxhovi.