Juventus është mposhtur me rezultain 3-1 mbremjen e djeshme nga Roma në shtëpinë e saj. Ky takim për asnjërën nga skuadrat nuk kishte rëndësi pasi fatet e tyre ishin caktuar, me Juven kampion dhe me Romën në vendin e pestë.

Në këtë takim ka debutuar edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Giacomo Vrioni, i cili prej një viti aktivizohet me epikin U-23 të bardhezinjve.

Vrioni zuri vendin e Gonzalo Higuain në minutën e 79 të ndeshjes.

Për 21-vjeçarin kjo ishte ndeshja e gjashtë që thirrej nga trajneri Maurizio Sarri, por në takimet e tjera nuk ishte aktivizuar.

Sulmuesi 21 vjeçar ka lindur në Itali, por ka vendosur që të përfaqësojë kombin e tij. Ai më herët ka luajtur tek Metalica në serinë D ku edhe shkëlqeu dhe u ble nga Sampdoria.

Sampdoria e huazoi në klube të tjera si Pistoise, Venezia apo Cittadella për tu transferuar më pas tek Juventus.

Ai është aktivizuar fillimisht me të rinjtë e Italisë, për të kaluar më pas tek të rinjtë e Shqipërisë dhe prej vitit 2018 është pjesë e ekipit të parë të kombëtares ku ka zhvilluar edhe një takim.

Vrioni shikohet si një lojtar me potencial të madh dhe shumë shpejt mund të jetë një nga shtyllat e Shqipërisë në sulm.