Kalaja e Shkodrës “Rozafa” dhe ajo e Lezhës këtë vit kanë thyer rekord sa i përket numrit të vizitorëve. Në materialin në vazhdim mund të kuptoni me shumë për këto dy monumente dhe sa janë vizituar ato.
Kalaja e Shkodrës dhe ajo e Lezhës kanë dyfishuar vizitorët në vitin 2021 në raport me vitin 2020. Kalaja e Shkodrës, “Rozafa”, sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, për vitin 2021 numëron 51 mijë e 215 vizitorë. Janë 20 mijë vizitorë më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të 2020-tës.

Vitin e kaluar, Kalaja e Shkodrës është ndriçuar duke ofruar një pamje tejet të bukur gjatë natës . Në prill qe vjedhur kablloja e ndriçimit, por më pas dritat ishin funksionalizuar prapë.

Kalaja “Rozafa” ngrihet mbi një kodër që rrethohet nga lumenjtë Drin, Kiri dhe Buna. Muret e kësaj kalaje rrethojnë pjesën e sipërme të kodrës në të cilën ndodhet ajo. Kalaja e Rozafës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948. Gjurmët e mureve të kësaj kalaje Ilire datojnë që nga shekulli III para Krishtit.

Hyrjen kryesore Kalaja e ka nga verilindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tri oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dala drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura.

Brenda Kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo, si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, të quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty janë depoja, burgu, si dhe Xhamia e Fatihut.

Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta, që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja.

Kalaja e Lezhës, aty ku historia ndërthuret me peizazhin, është kthyer në një nga destinacionet kryesore më të vizituara në këtë qytet.

Kjo kala, një nga pikat historike për qytetin, është përzgjedhur nga turistët vendës dhe ata të huajë si kështjella më e veçantë ende e paeksploruar.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-dhjetor 2021 kjo kala është vizituar nga 2 mijë e 636 vizitorë, ose 1 mijë e 822 vizitorë më shumë se gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2020.

Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja sipas studiuesve ka origjinë ilire. Aty mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane.

Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e Detit Adriatik.

© KOHA