Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe shefi i grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se pajtimi i Kosovës me Serbinë nuk mund të ndodhë pa u ballafaquar me të kaluarën.

“Pajtimi nuk mund të ndodhë pa ballafaqim me të kaluarën. Serbia po tenton që në kuadër të një procesi të ndërtojë një miqësi me vendet e rajonit, por duke harruar të kërkojë falje ndaj atyre popujve”, ka thënë Kamberi.

Shaip Kamberi thotë se në raport me atë që ka kërkuar në Kuvendin e Serbisë nga ministrat dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, reagimet kanë qenë negative në lidhje me kërkesën për ballafaqim me të kaluarën dhe për zbardhjen e krimeve të luftës.

Sipas tij, tash pas vendimit përfundimtar të Tribunalit të Hagës për Ratko Mlladiqin, në Serbi ekziston një diskurs i cili vazhdon të glorifikojë edhe më shumë Ratko Mladiqin duke e shpallur hero të përjetshëm e sidomos nga mediat proqeveritare.

“Kjo Qeveri, ky estabilshment politik në Serbi tregon që nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me të kaluarën e dhunshme. Janë në dialog me Kosovën, tentojnë përmes iniciativave mini-regjionale të ndërtojnë raporte të mira me fqinjët por në anën tjetër vazhdojnë të kundërshtojnë ballafaqimin me të kaluarën. Këto dyja nuk shkojnë bashkë”, është shprehur ai.

Ndërsa se sa dinë qytetarët e Serbisë për krimet në Kosovë, Kamberi tha që dinë shumë pak.

“Edhe në Serbinë e Millosheviqit ka ekzistuar një opozitë e fuqishme, ka ekzistuar një sektor civil i udhëhequr qoftë nga Fondi Humanitar apo Komiteti i Helsinkit. Sot institucionet e tilla nuk kanë fuqi politike, apo ndonjë e brishtë dhe dobët. Ekziston një opozitë e paintegruar që nuk kanë një ide politike ku do ta çojnë Serbinë. Duke munguar një media serioze, opozitë dhe sektor civil, fatkeqësisht qytetarët e Serbisë nuk e dinë çka ka ndodhë në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, derisa presidenti serb, Aleskandar Vuçiq, po raportonte sot para deputetëve në Kuvendin e Serbisë, lidhur me ecurinë e dialogut me Kosovën, ishte pikërisht Shaip Kamberi i cili sërish ua tha në fytyrë të gjithëve për krimet që i kanë kryer mbi civilët shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Kamberi sërish ka debatuar për çështjet për të cilat Serbia heziton t’i diskutojë.

“Si pjesëtarë i popullit shqiptar, e shoh perspektivën në BE, por edhe në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Formula e bashkëjetesës së popujve të Ballkanit është mirëkuptimi, gjithçka tjetër çon drejt konflikteve të përgjakshme. Konsideroj që dialogu në Bruksel është mekanizmi i vetëm për normalizim të marrëdhënieve – pavarësisht që konsideroj që Brukseli nuk po tregon interesim edhe aq të madh sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Kamberi, duke iu drejtuar presidentit serb.