Lajmi i medieve britanike për krijimin e një kampi në Shqipëri për të gjithë refugjatët e paligjshëm që kalojnë kanalin nga Franca për në Mbretërinë e Bashkuar është mohuar edhe nga ambasadori ynë në Londër, Qirjako Qirko.

Ky i fundit ka thënë se shkrimi i botuar nga “The Times” është një “lajm i rremë”. Qirko tha se ishte “i zemëruar” me raportin sepse të mërkurën ai i kishte thënë Times “të paktën 10 herë se Shqipëria nuk do të pajtohet kurrë, me këtë lloj qasjeje në lidhje me emigrantët që vijnë nga Franca”.

Duke folur për The Guardian, ai tha: “Është krejtësisht e rreme. Ata nuk përmendin asnjë fjalë për realitetin dhe shkruajnë atë që preferojnë. Jam avokat. Shqipëria nuk ka juridiksion për të vendosur nëse një emigrant është i ligjshëm apo i paligjshëm. Konventa ndërkombëtare ka rregulluar gjithçka në detaje lidhur me procesin e vlerësimit të azilkërkuesve. Gjykatat britanike do të vendosin, jo gjykatat shqiptare”.

Në deklaratën e tij Qirko shtoi: “Nuk ka bisedime dypalëshe mes zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe britanike në lidhje me qendrat e përpunimit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë Kanalin Anglez. Qeveria shqiptare nuk do të pranojë kurrë hapjen e qendrave të tilla të përpunimit për emigrantët e paligjshëm pasi ky është një akt që shkel ligjin ndërkombëtar”.

Tirana zyrtare reagoi me zemërim ndaj këtij raportimi mediatik. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka publikoi në Twitter një foto të faqes së parë të gazetës The Times dhe shkroi: “I njëjti lajm i vjetër e i rremë, këtë herë në faqe të parë të një gazete të respektueshme si The Times! Dhe meqe ra fjala, unë nuk jam “ai” por “ajo”, e cila gjithmonë ka admiruar kualitetin e medias britanike. E trishtueshme.”

Ambasadori shqiptar sqaroi se “në Shqipëri ka 3000 iranianë që i mbështesim prej 10 vitesh. Ka 4000 persona nga Afganistani- ish politikanë, ish-profesorë- të cilët po strehohen si refugjatë dhe jo në kampe, sepse ata ishin aleatët tanë në Afganistan. Në një letër Qirko shkroi: “Mund të konfirmoj me vendosmëri se nuk ka bisedime dypalëshe mes zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe asaj britanike, në lidhje me qendrat e procedimit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë Kanalin Anglez”. Lajmi është mohuar edhe nga kryeministri Edi Rama.