Pas video-konferencës së Presidentit Hashim Thaçi, i cili u deklarua rreth publikimit të aktakuzës nga Gjykata special në Hagë, ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Në një shkrim të gjatë të publikuar nga ky komitet në llogarinë e tyre zyrtare në Facebook, thuhet se po të mos ishte sakrifica dhe lufta e pastër e çlirimtarëve tanë gjatë luftës së fundit në Kosovë, sportistët tani nuk do ta lartësonin sot flamurin e Kosovës edhe në vendet të cilat nuk e njohin pavarësinë e saj.

Andaj, në këtë shkrim tutje thuhet se çlirimtarëve tanë dhe heronjve e dëshmorëve, duhet t’i jemi gjithmonë mirënjohës, ku në nderim të tyre sot emërtohen shumë rrugë, sheshe e objekte sportive.

“Sakrificat e mëdha dhe lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e solli lirinë. Çlirimtarëve tanë, heronjve dhe dëshmorëve, do t’u jemi mirënjohës tërë jetën, ashtu siç nuk do ta harrojmë kurrë edhe ndihmën e aleatëve tanë, NATO-s, në krye me SHBA-të.

Shumë sportistë ju bashkuan radhëve të UÇK-së. Në nderim të tyre, sot emërtohen shumë rrugë, sheshe e objekte sportive.

Në dy dekada liri, shteti ynë përjetoi sfida të ndryshme drejt shtetndërtimit, ndërsa sportistët luajtën një rol kyç dhe jo rastësisht sportistët u quajtën ambasadorët më të mirë të shtetit tone”, thuhet tutje në njoftim.