Shkruan: Salih MEHMETI

«Janinës ç’i panë sytë» është vargu domethënës i një kënge polifonike labe që shpreh rrënjosjen e këtij qyteti në kujtesën historike shqiptare. I quajtur në shekullin e nëntëmbëdhjetë si kryeqendër e Shqipërisë, Janina kishte vlerë të pallogaritshme ekonomike dhe strategjike, shkruan Konica.al. Dy skajet e Shqipërisë, Shkodra dhe Janina u bënë qendresa e fundit në Luftën e Përgjithshme Ballkanike (1912-1913). Më kot ushtria greke provoi të merrte kështjellën e Janinës, pasi mbrojtja janiniote nën drejtimin e gjeneralit gjerman Rydigjer von der Goltz ishte përforcuar në mënyrën më të mirë me llogore, tela gjemborë dhe mitraloza zjarri.

Garnizioni ushtarak i qytetit, që përbëhej kryesisht nga shqiptarë të jugut, udhëhiqej nga gjenerali Mehmet Esat Pasha, i njohur edhe si Bülkat. Studiuesit turq thonë se ai ishte shqiptar vendës i Janinës, por ashtu si krejt elita myslimane e qytetit fliste më me qejf greqishten e turqishten sesa shqipen.

Ndonëse Janina kishte të gjitha mundësitë për t’i bërë ballë sulmeve greke, komandanti osman vendosi ta dorëzonte Janinën në duart e mbretit Konstandin, çka shënoi goditjen më të madhe për Shqipërinë. Qeveria e Vlorës, ndonëse në rrethana tejet të rënduara, ishte në lidhje të pakëputur informacioni me komandën ushtarake të Janinës. Sipas njohësit të marrëdhënieve shqiptaro-greke Basil Kondis, Ismail Qemali kishte kërkuar që në kështjellën e Janinës të valëvitej flamuri me shqiponjën dy krenarë. Portali Konica.al sjell një fragment nga studimi i tij:

«Ismail Qemali, duke dashur ta përshkruajë Janinën si një qytet shqiptar, i dërgoi komandantit të Janinës, Esat pashës, nje delegacion dhe i propozoi që në këtë qytet të ngrihej FLAMURI SHQIPTAR. Esat pasha NUK E PRANOI propozimin, por përkundrazi kërkoi që shqiptarët t’u jepnin çdo ndihmë të mundshme forcave turke».(Burimi: Basil Kondis, Greqia dhe Shqipëria 1908-1914, 2007, f. 135)