Ligjvënësit demokratë dhe republikanë i bënë thirrje administratës së Bidenit që të mos i shesë Turqisë aeroplanë luftarakë të tipit “F-16”, duke thënë se besojnë që Kongresi do t’i bllokonte këto eksporte.

Në një letër drejtuar Presidentit Biden e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, njëmbëdhjetë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën shqetësim rreth raportimeve të fundit se Turqia mund të blejë 40 aeroplanë të rinj “Lockheed Martin F-16” dhe 80 sete modernizimi për aeroplanët e këtij lloji.

“Pas njoftimit të Presidentit Erdogan në shtator se Turqia do të blejë një pjesë të re të sistemeve ruse për mbrojtje raketore, S-400, ne nuk mund ta përballojmë kompromisin ndaj sigurisë sonë kombëtare duke i dërguar aeroplanë të prodhuar në ShBA një aleati të traktatit që vazhdon të sillet si kundërshtar”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.

“Përderisa kemi besim që Kongresi do të qëndrojë i bashkuar për të bllokuar eksporte të tilla, nëse këto plane arrijnë progres, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta përballojnë transferimin e ndonjë pajisjeje të avancuar ushtarake te qeveria e Turqisë në këtë kohë”, thuhet më tej në letër.

Agjencia “Reuters” këtë muaj raportoi se Turqia i ka bërë kërkesë ShBA-së për blerjen e 40 aeroplanëve luftarakë “F-16” dhe rreth 80 pajisje modernizimi për aeroplanët ekzistues.

Ankaraja më parë ka porositur më shumë se 100 aeroplanë të tipit “Lockheed Martin F-35”, por Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Turqinë nga programi për prodhimin e tyre në vitin 2019, pas blerjes së sistemit rus, S-400.