Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka larguar fotografinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të paktën nga vendi ku ka qenë e vendosur deri tani, në zyrë të kryetarit.

Në fotografitë e dërguara sot nga zyra për informim e Kuvendit, ku Konjufca shihet teksa bisedon me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, vërehet qartë se fotografia e Thaçit nuk ishte më aty ku ka qenë.

Nuk dihet nëse ajo është vendosur në ndonjë kënd tjetër të zyrës, por ajo dihet e që shihet, është se fotografia e Thaçit nuk është në ballë ose afër vendit ku ulet kryetari dhe mysafiri.

Institucionet e Republikës së Kosovës obligohen me ligj që ta vendosin fotografinë e presidentit në ambiente të punës.

 

Neni 20, i Ligjit për protokollin e shtetit, ku flet për presidentin, pika 3 thotë: Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit.