Vijon nga pjesa e parë

Qazim NAMANI, Dr. Arkeologji/Trashëgimi Kulturore

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë

Në rastin konkret gjatë konservimit të Kështjellës së Artanës, kemi të bëjmë me ngritje të mureve, dhe futje të elementeve të reja në mure, duke i dhënë kështjellës një pamje për të cilën nuk kemi burime dhe të dhëna paraprake se si është dukur më parë. Edhe në këtë rast me ngritjen e murit ndarës në mes të hapësirës së kishës, duke e ndarë pagëzimoren nga tërësia e kishës, arkeologu serbë Popović ka bërë lëshime profesionale, duke e humbur autenticitetin e monumentit dhe duke e falsifikuar historinë e objektit.
Si kundërshtarë të pikëpamjeve të Viole Le Dyk paraqiten me konceptet e tyre dhe anglezët Johan Raskin (1849) dhe Wiliam Morris (1834-1886). Raskini kritikoi teorinë e Violet Le Dyk, se ka bërë humbjen e autenticitetit të monumentit historik. Morris ishte në të njëjtën rrymë me Raskinin, ishte anëtar i lëvizjes në Britani, dhe themelues i shoqatës për mbrojtje të ndërtesave antike.
Në këtë periudhë dalin teori të reja të shkollës italiane të restaurimit me Kamillo Boito (arkitekt), i cili i krijoi bazat e shkollës moderne të restaurimit shkencor.
Kamillo Boito së pari vlerësoi domethënien historike të veprës arkitektonike, pra ai ishte për ruajtjen e të gjitha fazave të ndërtimit në monument.
Boito në ndërhyrjet restauruese e sheh rrezikun e dëmtimit të vlerave autentike të monumentit, prandaj sugjeron konservimin përpara restaurimit. Ai potencon se nëse restaurimi i një monumenti është i domosdoshëm sugjeron që ndërhyrjet e reja të jenë të dallueshme për të mos i falsifikuar vlerat e monumentit.
Alios Riegl (1857-1905), profesor në Universitetin e Vjenës është i pari që ka dhënë konceptin teorik të konservimit. Një prej bazave të teorisë së tij është ruajtja e origjinalitetit të monumentit kulturor dhe integritetit të tij.
Në rastin tonë, kur bëhet fjalë për punët konservuese në Kështjellën e Artanës,nëse bazohemi në shkollën moderne të restaurimit shkencor, vërejmë se nuk është ruajtur vlera autentike e monumentit, nuk është vlerësuar drejt domethënia historike e veprës arkitektonike, dhe nuk është ruajtur origjinaliteti i monumentit kulturorë.
Lluka Beltrami (1854-1933), (avokat), kundërshton restaurimin stilistik apo të analogjisë, duke mos e mohuar thelbin e njësisë së monumentit nëpërmjet rindërtimit. Lluka Beltrami duke e vlerësuar çdo vepër si krijim i vetëm, kur shtrohet çështja e rindërtimit pjesor apo tërësor të monumentit bazohet në dokumente apo kopje të origjinalit dhe në të dhëna tjera historike e arkivore për monumentin.
Edhe këto qëndrime të arkeologut serbë, bien në kundërshtim me parimet shkencore të konservimit e restaurimit, dhe me konceptet e Lluka Betramit, sepse për kështjellën e Artanës nuk kemi pasur kurrfarë incizimi paraprak, nuk kemi pasur projekt apo fotografi se si është dukur shekuj më parë, pasi që kështjella e Artanës ishte shndërruar në rrënojë arkeologjike shumë vite para se të zbulohej aparati fotografik. Për dukjen e vërtet të kështjellës ne nuk kemi trashëguar as ndonjë përshkrim, pikturë apo skicë të detajuar se si është dukur gjatë shekujve XIV e XV.
Restaurimi i mureve të citadelës në kështjellën e Artanës është në kundërshtim edhe me vendimet e Kartës së Athinës (1931), që njihet si Kongresi i parë ndërkombëtar që trajton problematiken e monumenteve dhe të ndërhyrjeve restauruese. Nga kjo konferencë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve, doli një dokument rekomandues i cili ndahej në 10 pjesë. Në këtë dokument u shfaqen prirjet e largimit nga rindërtimet, duke parapëlqyer mirëmbajtjet e vazhdueshme të monumenteve.
Restaurimi i monumenteve të kulturës, është diskutuar nga ekspertët ndërkombëtarë edhe në konferencat tjera të zhvilluara vite më vonë. Në vitin 1964 në Venedik është mbajtur një kongres ndërkombëtar ku vëmendja e ekspertëve ishte përqendruar te ruajtja e autenticitetit të monumentit, duke i analizuar në mënyrë të hollësishme problemet që hasen gjatë konservimit dhe restaurimit të tyre. Sipas Kartës së Venedikut, dhe më vonë Kartës së Burras, mundësohet restaurimi i monumenteve vetëm në raste të veçanta, kur monumenti është i kategorisë së parë dhe lidhet ngushtë me zhvillimin e jetës së popullatës lokale ku ndodhet monumenti, por edhe kur monumenti është shkatërruar nga fatkeqësitë e rastit, gjatë luftërave, tërmeteve dhe vënies së qëllimshme të zjarrit.
Në raste të tilla bëhet rindërtimi,por gjithnjë duke u bazuar në incizimin e mëparshëm arkitektonik. Po ashtu në Kartën e Burras mundësohet restaurimi i pjesshëm i monumentit,nëse kërkohet ri jetësimi i tij për t’ju përshtatur nevojave të komunitetit. Në rast se vendoset për restaurimin e pjesshëm të monumentit gjithnjë duhet pasur parasysh që ndërhyrjet e reja duhet të jenë tërësisht të dallueshme nga mbetjet origjinale të monumentit.
Nëse i referohemi kartës ndërkombëtare të konservimit dhe restaurimit të monumenteve dhe siteve, në kongresin e dytë ndërkombëtar të arkitekturës, dhe teknikëve të monumenteve historike që është mbajtur në Venecia prej 25-31 maj 1964, ku u miratuan rregulloret, teksti përkatësisht neni 3 i rregullores thotë: “Konservimi dhe restaurimi i monumenteve, ka për qëllim të ruajë si veprën e artit ashtu edhe dëshminë historike”;
Neni 9: “Restaurimi ka për qëllim të ruajë dhe të nxjerrë në pah vlerat estetike dhe historike të monumentit,dhe bazohet mbi respektimin e substancës së vjetër dhe të dokumentit autentik. Shihet qartë se edhe këto norma në këtë rast nuk janë respektuar.
Në vitin 1994 në Naro të Japonisë,është mbajtur një konferencë ndërkombëtare, ku ruajtja e vlerave të autenticitetit të monumentit ishte temë e trajtimit nga shumë ekspertë ndërkombëtar. Në këtë takim u sugjerua që të ruhen fazat origjinale të monumentit, për ta ruajtur autenticitetin dhe origjinalitetin tij.
Gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të XX u bënë shumë shkatërrime të tempujve në Afganistan dhe të monumenteve të kulturës në republikat e ish Jugosllavisë. Gjatë luftërave në ish Jugosllavi, nga ushtria serbe u bombardua qendra e mbrojtur si monument kulture në qytetin e Dubrovnikut. Po ashtu gjatë këtyre luftërave u bombardua edhe Ura e Mostarit, që ishte monument në mbrojtje të shtetit, dhe ishte jetike për jetën e banorëve të këtij qyteti. Në këto raste është bërë ndërhyrje urgjente për restaurimin e tyre, duke u bazuar në incizimin arkitektonik dhe dokumentimin paraprak të këtyre monumenteve..
Kështjella e Artanës u trashëgua si rrënojë prej disa shekujve më parë. Për këtë kështjellë nuk kemi incizime arkitektonike, por as fotografi, dhe nuk e dimë se si është dukur para dy apo më shumë shekujve.
Gjatë hartimit të projektit, nuk është paraparë ri jetësimi i kështjellës, dhe funksioni i saj pas restaurimit. Pra siç shihet, është bërë ngritja e mureve në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, andaj në rastin konkret,përgjegjësinë për dëmtimin e këtij monumenti deri në këtë gjendje duhet ta bartin institucionet ndërkombëtare dhe vendore.

Në këtë rast mendoj se është dashur të bëhet konservimi i rrënojave të mureve, dhe të ruhet si monumenti shpallur “Park Arkeologjik” me vlera të veçanta arkeologjike e historike.

Teknikat e ndërtimit

Siç e cekëm më lartë hartimi i projektit për ngritjen e mureve, është hap i gabuar dhe në kundërshtim me konventat përkatëse ndërkombëtare. Teknika e murimit, dhe përdorimi i materialit jo adekuat, janë shkaktarët kryesor që filloi rrënimi i fasadës së mureve,si dhe u bënë çarje të thella vertikale në këndet e kullave. Për kah teknika e murimit të objektit, shihet se është përdorur një teknikë që nuk është përdorur që nga fazat fillestare të historisë së murimit me gur. Pra, është ky një rast që duhet veçuar i cili në të ardhmen, do të ju shërbejë ekspertëve të shkollës së konservimit, për të edukuar brezat e rinj se si nuk duhet të bëhen konservimet në një monument kulture. Vërehet se kemi një fasadim të jashtëm me gur të palatuar dhe pa kurrfarë përforcimi, që për dy tri vite, në saje të kushteve atmosferike, kemi fryrje të mureve dhe çarje të fasadave në murana që kanë rënë poshtë. Në aspektin statik nuk është krijuar bazament i qëndrueshëm, andaj veprimi i forcës nga ngritja,dhe pesha e madhe e mureve ka krijuar çarje vertikale, dhe tash këto çarje është shumë vështirë të konservohen, apo t’ju zgjatet jeta këtyre mureve deri në momentin e rrënimit. Përçarjet e krijuara në mure,është vështirë që të gjendet ndonjë metodë e konservimit dhe që t’ju zgjatet jeta mureve të kalasë.
Në konferencën e Athinës, studiues të shumë vendeve u shprehen kundër rindërtimeve të monumenteve, studiuesit pohuan se monumentet duhet të mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme, për të siguruar ruajtjen e tyre. Në këtë konferencë u kërkua bashkëpunimi i arkeologut me restaurues të arkitekturës, dhe u formuan parimet themelore të restaurimit të monumenteve të arkitekturës. Në konferencën e Athinës, u shqyrtua përdorimi i materialeve dhe teknikave të reja, si betonarmeja me kusht që përdorimi i tyre duhet të mos e dëmtoj pamjen e jashtme të monumentit. Teknikat e kohës mund të përdoren në ndërhyrjet restauruese. Restauruesi nuk mund të kryejë detyrën e tij delikate, pa qenë njohës i mirë i arkitekturës së epokës që i përket monumentit që do të restaurohet, pra pa qenë historian arkitekture. Siç shihet edhe pse në projekt për restaurimin e mureve në kështjellën e Artanës nuk janë paraparë nga hartuesit e projektit dhe zbatuesit, rreziqet nga ngritja e mureve. Në projekt nuk i kanë marrë për bazë këto udhëzime që ta përforcojnë bazamentin me materiale bashkëkohore para ngritjes së mureve.
Mendoj se kështjella e Artanës është dashur të trajtohet si park arkeologjik. Nuk është dashur të bëhet ngritja e mureve, por konsolidimi dhe konservimi i rrënojave që deri më sot i kanë mbijetuar kohës.
Është me rëndësi të ceket se në këtë rast ngritja e mureve të kështjellës është bërë me punëtor fizik të pa kualifikuar që janë zgjedhur në fshatrat e Artanës. Këta punëtor ishin pa përvojë dhe të pa kualifikuar, e të cilët për herë të parë kanë pasur rastin të punojnë si mjeshtër pune të kësaj natyre.
Sipas standardeve ndërkombëtare dhe rregullave për menaxher në konservimin e monumenteve dhe parqeve arkeologjike, mjeshtrit duhet të jenë teknik ndërtimi me specializime të larta në fushën e konservimit. Kohën nuk mund ta kthejmë, por zanatet e shekujve XVIII e XIX nuk mund ti krijojmë artificialisht, shkruajnë ekspertët e konservimit.
Mbarë ekipi i projektimit dhe i zbatimit të punimeve restauruese, formohet prej kuadrosh me arsim të lartë si: arkitekt, inxhinier ndërtimi, arkeologë, teknik të mesëm ndërtimi si dhe mjeshtër dhe punëtor ndërtimi.
Në këtë rast udhëheqësi i punimeve është dashur të dijë, që së pari ka qenë e nevojshme të punohet në ato detaje të monumentit që janë në rrezik nga ana statike, siç kanë qenë muret e jashtme të Kështjellës. Është dashur të studiohen mirë dhe të bëhet identifikimi i pjesëve më shumë të dëmtuara,për të ndërhyrë në strukturat e mureve, të cilat ishin në rrezik për shkak të erozionit. Në rast të erozionit të gurëve në muret e kështjellës, për të bërë zgjedhje është dashur të gjenden format e bashkëpunimit me agjenci evropiane të konservimit, alarmojnë ekspertët e konservimit dhe restaurimit.
Në rastin konkret punët konservuese në Citadelën e Kështjellës së Artanës, siç është parë dy vite më vonë, janë paraqitur çarje vertikale, të cilat argumentojnë për mos studimin e rrënojave paraprake. Në muret e kështjellës u shfaqën dobësitë e mos pastrimit profesional të mureve në rrënoja nga erozioni i shkaktuar qindra vite më parë, nuk janë pastruar gurët e prekur nga erozioni, dhe nuk është krijuar bazamenti i qëndrueshëm për të ngritur muret deri në 10 m lartësi. Çarjet vertikale që u krijuan pas dy viteve dëshmojnë për paqëndrueshmëri statike të mureve, e të cilat rrezikojnë që të shemben me kohë. Përveç mos krijimit të qëndrueshmërisë statike në bazament, lidhja e gurëve është bërë vetëm në kënde të mureve, përderisa murimi mes këndeve të kullave ka vazhduar duke hedhur gurë në llaç, pa kurrfarë përforcimi me breza horizontal prej druri apo materiale tjera lidhëse. Fasada në anën e jashtme të mureve është bërë me gurë që kishin formë të pa rregullt, të lidhur mes vete vetëm me llaç gëlqereje apo çimentoje, dhe pa kurrfarë përforcimi që tregon se një teknikë e tillë e murimit nuk është parë të ndodhë ndonjëherë në historinë e ndërtimeve.
Mos izolimi i sipërm i mureve e ka shpejtuar rrëzimin e fasadës dhe çarjeve në mure, pasi që gjatë reshjeve atmosferike, është mundësuar depërtimi i ujit duke e fryrë dhe ndarë fasadimin me gurë nga shtresa tjetër e murit, andaj dhe me kohë ka filluar rënia e gurëve të fasadës.
Në muret ndarëse të objekteve brenda citadelës, vërehet se kemi tentime të falsifikimit të vlerave autentike të monumentit, e këto më së miri vërehen te muri ndarës, ku ndahet pagëzimorja prej objektit të kishës, si dhe futja e elementeve të reja në mure. Po ashtu në këto mure vërehet cilësia e dobët e materialit lidhës, apo mënyra e kryerjes së punimeve që siç duket punët janë bërë gjatë stinës së dimrit dhe në temperatura të ulëta.
Te muret e vjetra të ndërtimeve që janë monumente kulture, dëmtimet mund të jenë shkaktuar nga ulja e njëtrajtshme e themeleve, veprimi i agjentëve të jashtëm, nga mbi ngarkimet dhe nga vjetërsimi i materialeve.
Në rastin konkret shihet se mos përforcimi i bazamentit, dhe ngritja e madhe e mureve dhe e mbipeshës, ka shkaktuar ulje apo lëkundje të themeleve, me ç’rast janë krijuar çarje të thella vertikale në mure.

Muret mbrojtëse prej guri të lidhura me llaç, restaurohen duke bërë vënien e lidhjeve në brendësi me përforcimin e lidhjeve të detyruara, me vendosjen e armaturës dhe betonimin e saj dhe me injektimin e mureve të çara.

Foto 3. Pamje e rrënojave të citadelës nga ana jugore, (foto, gazeta blic), Foto 4. Pamja e rrënojave nga ana jug-perëndimore, (foto Qazim Namani), Foto 5. Pamje gjatë ngritjes së mureve, (Foto Q. Namani), Foto, 6, Pamje nga ana veri-lindore (Foto Q, Namani).

Plasaritjet çarjet e thelluara vertikale, të krijuara në mure është vështirë që të restaurohen, sepse çarjet janë krijuar në të gjitha këndet e mureve. Për restaurimin e çarjeve në mure ka disa mënyra të ndërhyrjeve e njëra ndër to është: Qepje me Fiber glas (kunj me fije qelqi), dhe mbushet më pastaj me Eposi Rezinë dhe shiringa, por në raste të tilla ku ka mure në gjerësi prej rreth 3m, kjo metodë është shumë vështirë që të realizohet. Përveç kësaj edhe metodat tjera që do të përdoreshin, do të jenë të pa suksesshme, për shkak të mbingarkesës së themeleve, dhe mos qëndrueshmërisë statike të mureve.
Dëmet e krijuara që kanë ndodhur deri më sot, duhet studiuar dhe kuptuar si rrezik për vizitorët që shkojnë në këtë lokalitet arkeologjik, e sidomos ata që ofrohen rreth Kështjellës. Për të zvogëluar rrezikun duhet të parandalohen vizitat e qytetarëve deri në afërsi të Citadelës. Duhet të krijohet perimetri mbrojtës dhe të ndalohen vizitat me përmasa të mëdha, si të nxënësve të shkollave, sepse mund të shfaqet rreziku në ndonjë moment kur nuk pritet. Rënia e gurëve nga fasadat e mureve mund të jenë fatale për vizitorët, dhe të ketë viktima të shumta, sidomos në rast të vizitave në grupe. Të ndalohet dhe të shihet mundësia se si do t’i qasen problemit të konservimit apo të konsolidimit të mureve të ngritura në citadelën e kështjellës.

vijon në pjesën e tretë