Vijon nga pjesa e dytë

Qazim NAMANI, Dr. Arkeologji/Trashëgimi Kulturore

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë

Publikimi i dëmeve në mjete të informimit

Dy vite pas përfundimit të punëve filluan që të shfaqen dobësitë profesionale në muret e ngritura të kështjellës. Dëmet e para u paraqitën në fasadat e mureve, ku u panë pamje të rënies së gurëve, dhe çarjet vertikale të mureve. Për këto dëme filluan të shkruajnë mjetet e informimit.
Në vijim ofrojmë disa nga shkrimet e gazetave ditore lidhur me dëmet e shkaktuara.
Përgjegjësitë për punët e bëra në këtë monument kulture i kanë UNESCO-ja, Bashkimi Evropian, një kompani kroate që ka hartuar projektin, një tjetër serbe që e ka zbatuar atë si edhe institucionet vendore që ishin caktuar për të përcjellë punimet. Kostoja e projektit që ka nisur punët në fillim të vitit 2015 dhe është përmbyllur në fund të 2016-ës është 1.1 milion euro. Financimi është bërë nga Këshilli i Evropës, kurse palët për hartimin e projektit dhe kryerjen e punimeve janë kontraktuar e mbikëqyrur nga UNESCO-ja. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, me seli ne Dubrovnik, ndërsa punët konservuese ishin kryer nga kompania “Koto”, me seli në Beograd. Mbikëqyrja ishte bërë nga përfaqësues të këtyre dy kompanive, përfaqësuesit të UNESCO-s, Bashkimit Evropian si dhe të institucioneve vendore shkruan koha.net.
UNESCO ka përzgjedhur kompaninë “Koto” me qendër në Beograd, për të kryer punimet për restaurimin e kalasë në Novo Bërd. Ndihmësdrejtori i firmës “Koto”, Gjorgje Tomić tha për “Kosova Online”, se projekti falë përfshirjes së të gjitha palëve, kryesisht UNESCO-s, si dhe BE-së që e financoi atë, bëri të mundur ruajtjen dhe rindërtimin e plotë të kësaj kështjelle mesjetare.
Ai thotë se kontrata me UNESCO-n, si zbatues i projektit, ishte lidhur në 21 maj 2015 në Paris, pas një procedure të prokurimit ndërkombëtar, dhe se si kompani ata plotësuan kritere shumë të rrepta sa i përket referencave, personelit dhe pajisjeve.
Ai theksoi se ata punësuan ekspertë me përvojë të madhe në këtë fushë, arkeologun Dr. Marko Popović dhe arkitekten ma. Gordana Simić. Kompania “Koto” nga Beogradi i kreu punimet për projektin e kompanisë inxhinierike “Omega” nga Dubrovniku, e cila u zgjodh gjithashtu nga UNESCO. Ai theksoi se projekti u zbatua në tri faza, të cilat u realizuan në vitet 2015, 2016, e që përfunduan në shtator 2017, ku të gjitha punët e parashikuara në projekt u realizuan nën mbikëqyrje të UNESCO-s.
Rënia e fasadës ka ndodhur në muret e reja të ndërtuara gjatë këtyre viteve theksoi Gjorgje Tomić. Dëmtimet në fasadë janë bërë në mure që nuk ekzistonin më parë, por në mure që i ndërtuan gjatë viteve 2015 e 2016, andaj riparimi i këtyre mureve nuk rrezikon autenticitetin dhe vlerat origjinale të monumentit. Duke u bazuar në këtë fakt Gjorgje Tomići theksoi se mund të riparohen muret në përputhje me udhëzimet që do të marrin prej UNESCO-s.
Siç shihet nga prononcimi i Gjorgje Tomićit, ndihmës drejtorit të firmës “Koto” nga Beogradi, vet e thotë: Dëmtimet në fasadë janë bërë në mure që nuk ekzistonin më parë, kuptohet se kishte lëshime profesionale e shkencore që nga fillimi kur u hartua projekti i konservimit të kësaj kështjelle. Përveç kësaj gjatë fazës së parë të konservimit është cenuar autenticiteti dhe vlerat origjinale të monumentit në muret ekzistuese dhe në objektin e Kishës ashtu si i përshkruam më lart.
Në vitin 2019 kompetencat për mbikëqyrje të punimeve në kështjellën e Artanës nga Instituti Arkeologjikë i Kosovës u bartën në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Në fillim të muajit shtator 2019, kompania “Koto” i rifilloi punimet për riparimin e dëmeve në fasadat e mureve të kështjellës.
Për rrënimin e disa shtresave të fasadave kompania kishte përdorur ekskavator. Kompania ndërtimore në këtë rast ka vepruar në mënyrë jo profesionale. Pas ndërhyrjeve me ekskavator në vendin e ngjarjes kishin dalë dhe menaxherë të IKMM-së, andaj duke e vlerësuar si jo profesionale ndërhyrjen me ekskavator në mure, dhe duke i vlerësuar si të rrezikuar vizitorët, me plotë të drejtë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ndaloi përkohësisht punët në Kështjellë.

Foto 11. Pamje e rrënimit të fasadës me ekskavator, (foto, Koha ditore).

Për ndërprerjen e punimeve pas këtij lajmi ishte pajtuar edhe UNESCO-ja, njoftonin mjetet e informimit në Kosovë.

Ditën kritike kur kompania serbe e bënte shembjen e gurëve me ekskavator, në kështjellën e Artanës për të vëzhguar punimet kishim shkuar, gazetarët e telegrafit.com me Qazim Namanin dhe Emin Sallahun, punonjës shkencor në IKMM.
Pavarësisht vlerave historike që bart në vete Kalaja e Novobërdës, ajo si pasojë e punimeve joprofesionale që janë bërë mbi të, rrezikon që për një kohë shumë të shkurtër të shembet shkruan gazeta “Telegraf”në Prishtinë.
Kompania serbe, e cila po bënë restaurimin e kësaj fortifikate, po e dëmton dhe rrezikon seriozisht shembjen e saj, shkruan telegrafi.com.
Duke lexuar dhe dëgjuar në dokumentar këto fakte të gazetës “Telegraf” në Prishtinë, Shoqata “Nënë Tereza” me seli në Grac të Austrisë, nuk ka qëndruar duarkryq, por ka reaguar në zyrën e qeverisë së Shtetit të Landit të Shtaiermarkut. Kryetari i shoqatës “Nënë Tereza” nga Graci i Austrisë, z. Martin Marku lidhur me shkatërrimin e Kalasë së Artanës në Kosovë nga një firmë serbe, ka apeluar në zyrën e qeverisë së shtetit të Landit të Shtaiermarkut, dhe pas një bisede me zonjën Mag. Einser Christa, e angazhuar për çështje të Ballkanin Perëndimor, ka apeluar me një shkresë që znj. Einser Christa ia ka dërguar UNESCO-s. Ky është reagimi i saj si në vijim:
Të nderuar zonja dhe zotërinj, siç kam mësuar vetëm nga dy burime kosovare, ekskavatorët aktualisht po shkatërrojnë kështjellën, e cila është restauruar me kujdes nga BE-ja dhe UNESCO-ja, dëshmitarët okularë thonë se: punëtori ka vendosur eksponatet në mikser betoni dhe i ka kthyer ato në beton. Meqë pata punuar për Shtaiermarkun para ca kohe në UNESCO, mendova se këto informacione duhet të njoftohen më tutje urgjentisht, ndoshta ju e dini për këtë, dhe unë ju lusë që ato informata të kontrollohen.
Këtu e gjeni bashkangjitur lidhjen e gazetës kosovare Telegrafi: Von: Eisner Christa Gesendet: Freitag, 6. September 2019 12:10 An: ‘[email protected] Betreff: UNESCO Erbe Novo Brdo in Kosovo wird gerade zerstört Priorität: Hoch (Emajli origjinal) Sehr geehrte Damen und Herren, wie ich soeben von zëei kosovarischen Quellen erfahren habe, wird aktuell massiv mit Baggern die von der EU und der UNESCO sorgfältig restauriere Festung zerstört, Augenzeugen berichten, dass „man“ mit Betonmischmaschinen aufgefahren ist und Monumente darin zu Beton gemacht hat. Da ich einige Zeit für die Steiermark in der UNESCO tätig war, dachte ich, diese Information sollte dringend weitergegeben werden, auch wenn Sie vielleicht schon davon wissen und bitte, diese zu prüfen. Anbei der Link der kosovarischen Zeitung Telegrafi:
Nga dëmet e shkaktuara në mure,ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme. Ndërkohë edhe UNESCO- ja, që e ka përzgjedhur kompaninë, dhe ka mbikëqyrur projektin e rivitalizmit, është pajtuar për ndërprerjen e punimeve. Projekti për rivitalizmin e Kalasë së Artanës që financohet nga UNESCO-ja, e që punimet kryheshin nga kompanitë fituese të përmendura duhej të mbikëqyreshin punimet për riparimin e fasadës së mureve nga zyrtarët profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Pas shumë reagimeve në gazeta dhe televizione të ndryshme janë prononcuar edhe zyrtarë të UNESCO-s.

George Papagiannis, zyrtar i UNESCO-s, ka thënë për gazetën “Zëri” se ata vazhdimisht janë në kontakt me institucionet lokale, dhe se punimet do të rifillojnë nga kompania serbe “Koto” në momentin që të merret autorizimi, dhe se cilësia e tyre do të miratohet nga mbikëqyrësi i UNESCO-s. Punimet do të rifillohen nga kompania pasi të kenë marrë autorizim shtesë për projektin dhe zbatimin e tij. UNESCO-ja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendore përgjegjëse, dhe në këtë moment jemi duke pritur autorizimin që të vazhdojnë punimet, duke u bazuar në dokumentacionin teknik shtesë të paraqitur në 17 shtator 2019”, ka thënë George Papagiannis.

Foto, 7&8, Pamje nga rënia e fasadës nga muret e ngritura, (foto Q, Namani), Foto, 9&10. Pamje nga çarjet vertikale të mureve, (fota Q, Namani).

Pas dëmtimeve që u shfaqën në muret e kalasë, u prononcuan edhe arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Arkeologu, i cili e kishte bërë mbikëqyrjen e procesit të konservimit gjatë periudhës 2015-2017, deklaroi se gjatë asaj periudhe nuk kemi vërejtur parregullsi, apo mos respektim të procedurave të konservimit dhe restaurimit. “Gjatë kësaj faze të punimeve ne nuk kemi pasur vërejtje sepse është përdorur materiali adekuat për restaurim dhe konservim.” Drejtori i Institutit Arkeologjikë të Kosovës, i cili është edhe ligjërues i lëndës së konservimit dhe restaurimit në njërin nga universitetet tona deklaron: Kompania që i ka kryer punët ka përvojë ndërkombëtare dhe ka bërë punë të shkëlqyeshme. Ai kërkoi që ky proces mos të politizohet duke e bërë vlerësimin për një kompani që e ka zgjedhur vet UNESCO-ja.

Foto, 12. Foto ajrore me dron, (fotografuar nga Luan Gashi), Foto 13. Pamje e mureve të citadelës nga ama Jug-Perëndimore, (fotografuar nga Emin Sallahu).

Rekomandimet:

Regjistrimin e monumenteve që duhen ruajtur duhet ta bëjë një institucion profesional shtetëror (IKMM), i cili do të mbikëqyrte projektet e restaurimit që do të mundësoheshin nga komisionet përkatëse dhe do të zbatoheshin nga vetë autorët.
Gjatë konservimit të monumenteve duhet pasur kujdes që të gjitha ndryshimet arkitektonike që ka pësuar një monument i kulturës në kohë, duhen ruajtur pa tentuar që të kthehen në gjendjen origjinale të tij, sepse çdo ndryshim në etapa historike tregon gjendjen sociale, politike dhe ekonomike të komunitetit që ka jetuar së bashku me monumentin.
Për të qenë të suksesshëm në këtë proces patjetër se duhet njohur dhe zbatuar doktrinat e restaurimit që kanë filluar të shfaqen në shekullin e XIX.
Udhëheqësi i projektit për konservimin e monumenteve së pari duhet të vlerësoj domethënien historike të veprës arkitektonike, për ruajtjen e të gjitha fazave të ndërtimit në monument dhe të sugjeroj konservimin përpara restaurimit.
Duhet pasur kujdes se nëse restaurimi i një monumenti është i domosdoshëm patjetër duhet që ndërhyrjet e reja të jenë të dallueshme për të mos i falsifikuar vlerat e monumentit.
Eksperti i konservimit duhet të kundërshtoj restaurimin stilistik apo të analogjisë, dhe duhet të veprojë duke e vlerësuar çdo vepër si krijim i vetëm, dhe nëse në raste të veçanta shtrohet çështja e rindërtimit pjesor, patjetër duhet të bazohet në të dhëna historike dhe arkivore për monumentin dhe kohën e ndërtimit të tij.
Gjatë hartimit të planit të konservimit është me rëndësi të bëhet shtrirja e hapësirës së monumentit në zonën e ndërtimit, duke e mbivlerësuar problematiken e çdo monumenti të veçantë, pra si rast të veçantë dhe të bëhet plani i menaxhimit pas restaurimit.

Duhet pasur kujdes që gjatë procesit të konservimit, duhet përdorur materiale ndërtimore të kohës që lejohen sipas standardeve të konservimit për llojin dhe gjininë e monumentit.
Nga të gjitha problematikat e konservimit dhe restaurimit të monumenteve rekomandohet që të zbatohen doktrinat e konservimit sipas standardeve ndërkombëtare në mënyrë që mos të humbim vlerat e autenticitetit të monumentit.
Duke i pasur parasysh këto fakte si ekspert i arkeologjisë dhe trashëgimisë, pjesë e IKMM-së në fushën e trashëgimisë kulturore sugjeroj:
Të ndërpritet puna në Kalanë e Artanës dhe të respektohen normat ligjore për ndërhyrje në monumentet kulturore.
Të formohet një komision vendor për ti konstatuar dëmet që janë bërë në këtë monument kulture.
Të bëhet studimi i materialit autentik, duke marrë kampione (mostra nga materiali i mëparshëm),
sugjeroj që kampionet të merren nga të gjitha fazat historike të ndërhyrjeve në Kalanë e Artanës.
Të vërtetohen dhe studiohen të metat e projektit.
Të konsiderohen pa bazë shkencore publikimet e deritashme, për punët konservuese që janë bërë gjatë periudhës 2015-2017 në këtë monument kulture.
Të evidentohen dobësitë gjatë kryerjes së punimeve.
Të studiohet cilësia e materialit të përdorur dhe faktorët tjerë, që kanë ndikuar për ta dëmtuar monumentin në këtë mënyrë, kur dihet se në konservimin e monumenteve përdoren materialet si ato të mëparshme ekzistuese, materiale këto që janë përdorur para 500 viteve, kur edhe është ndërtuar objekti.
Të sillen ekspert ndërkombëtar dhe nga rajoni për të dhënë vlerësimin profesional për punët e kryera në Kështjellë.
Të publikohen të gjitha raportet e vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtar dhe vendor.

Përfundim

Si përfundim mund të them se në fushën e trashëgimisë arkitektonike dhe arkeologjike pas vitit 1999, për konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës, u hartuan projekte dhe plane nga donatorët e ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar, si dhe nga institucionet e Kosovës. Restaurimi në fillim është bërë në bazë të principeve ndërkombëtare restauruese, duke përdorur materialet dhe teknikën tradicionale, ndërsa viteve të fundit është shkelë çdo procedurë, dhe normë ndërkombëtare për konservimin e monumenteve të kulturës.
Mos zbatimi i metodave të konservimit gjatë ndërhyrjeve restauruese në monumente të kulturës, ka ndikuar në dëmtimin e tyre, duke shkatërruar vlerat e autenticitetit të monumenteve. Kosova ka pësuar humbje të monumenteve, dhe dëmtime gjatë ndërhyrjeve për konservimin dhe restaurimin e tyre, për shkak të mungesës së profesionistëve, si në aspektin e restaurimit ashtu edhe të studiuesve, por edhe paqartësive në përgjegjësitë e institucioneve.
Gjatë kësaj periudhe nuk është respektuar hierarkia profesionale, për të mbikëqyrë dhe udhëhequr projektet restauruese me staf të kualifikuar, por janë angazhuar arkitekt të pa dëshmuar me përvojë, dhe pa njohuri për historinë e gjinisë së monumenteve, dhe periudhën e ndërtimit të tyre.
Politizimi i trashëgimisë kulturore po ashtu është njëri ndër faktorët kryesor për mos suksese në fushën e trashëgimisë kulturore.
Si pasojë e politizimit të trashëgimisë është punuar jashtë kritereve shkencore, duke humbur vlerat autentike të monumenteve, me qëllim të përvetësimit dhe falsifikimit të historisë së tyre. Në kështjellën e Artanës është zbatuar doktrina e Viole Le Dyk, doktrinë kjo që është hedhë poshtë në mesin e shekullit XIX.
Barra për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve historike i takon shtetit, i cili këtë detyrë duhet ta realizojë përmes institucioneve përkatëse dhe profesionistëve.