Ermal Hasimja, politolog dhe pedagog, tha se ai kishte tentuar në ditën e sotme ta kalonte kufirin drejt Kosovës, por ishte informuar nga policia kufitare e Kosovës që nuk lejohej të kalonin shtetasit e tjerë, veç atyre të Kosovës dhe rezidentëve.

“Disa policë e kërkonin testin e COVID-19, të tjerë jo, por dukej që situata ishte kaotike edhe për vetë autoritetet atje”, tha Hasimja për

“Është qesharake që është i mbyllur për shqiptarët e Shqipërisë kufiri në Morinë e është i hapur për serbët kufiri në Merdarë. Duket sikur COVID-i është më ngjitës nga Shqipëria se nga Serbia”, ironizoi Hasimja.

Politologu shtoi se priti për rreth dy orë të kalonte kufirin me Kosovën, por pastaj vendosi si shumë të tjerë të kthehej pas.

“Testi i COVID-19 dhe karantina 1-javore është gjithsesi mbyllje e kufirit”, deklaroi Hasimja, duke saktësuar se situata është absurde për personat që duhet të shkojnë në Kosovë për pak orë e të kthehen pas.

Që prej hapjes së kufirit ditën e djeshme dhjetëra shtetas të Shqipërisë kanë udhëtuar drejt Kosovës, por shumë prej tyre është dashur të presin me orë të tëra për të kaluar e të tjerë janë detyruar të kthehen.

Situata ka qenë e paqartë, disa prej tyre kanë marrë si përgjigje nga autoritetet kufitare se ende nuk ka nisur zbatimi i vendimit për hapjen e kufijve, ndërsa të tjerëve u është thënë se kushti për të vijuar udhëtimin është paraqitja e një dokumenti, që vërteton se kanë kryer analizën nëse janë të prekur nga koronavirus.

Kjo analizë duhet të jetë kryer në 4 ditët e fundit. Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët që u bllokuan për orë të tëra në pikën e kalimit kufitar të Morinës.