Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se është hera e parë që shoqëria civile shqiptare ka mundësinë të paraqesë prioritetet te partitë politike para zgjedhjeve.

“Fushata zgjedhore nuk do të thotë që kandidatët të flasin me njëri-tjetrin, por me qytetarët. Duam të dëgjojmë për tema që nuk janë pjesë e fushatës. Kërkesat e të rinjve për fushatën zgjedhore është një çështje që unë dua të promovoj. Shoqëria civile është një urë që lidh politikën me qytetarët. Shoqëria civile duhet të jetë një pjesë aktive e procesit të vendimmarrjes”, tha ambasadori i BE.

“Ju inkurajoj që të ndihmoni qytetarët të votojnë dhe ndihmojini që të refuzojnë dhe të denoncojnë çdo shkelje, mashtrime apo intimidime që mund të ndodhin. Integriteti i zgjedhjeve përcaktohet në ditën e zgjedhjeve dhe më parë”.

Soreca theksoi edhe një herë se liderët e partive kanë përgjegjësi ligjore dhe morale që të sigurojnë që kandidatët në lista të plotësojnë standardet më të larta.

“Vendi meriton deputetë që do të mbështesin agjendën e reformave europiane për luftën kundër korrupsionit. Zgjedhjet janë të ndryshme në çdo shtet të Bashkimit Europian, por thelbi është që qytetarët vendosin bazuar tek oferta politike. Është edhe më e thjeshtë se kaq, ka të bëjë me vetë qytetarët, cilësinë e jetës së tyre, të ardhmen dhe aftësisë së tyre për të ndikuar tek ajo, përmes votës”, tha ai.