Kampioni i Europës në gjimnastikë, Matvei Petrov, i cili garon për ngjyrat kuq e zi ka zënë vendin e parë në fazën kualifikuese në Kupën e Botës që e kualifikon atë për në finalen e së shtunës.

Lajmin e ka dhënë kryebashkiaku Erion Veliaj i cili ka publikuar edhe videon e garimit të sportistit të klubit të Tiranës që ka ngritur lart flamurin tonë.

“Një super lajm na vjen nga Osijek i Kroacisë ku po zhvillohet Kupa e Botës në Gjimnastikë. Gjimnasti Matvei Petrov zë vendin e parë në fazën kualifikuese në Kupën e Botës dhe e kualifikon atë në finale të shtunën. Një rezultat i tillë, është një shenjë premtuese e performancës që gjimnasti ynë të futet në finalet e Lojërave Olimpike Tokyo 2020. Një rezultat fantastik nga Matvei dhe trajneri i tij shqiptar Alon Hasa, që i bëjnë jehonë vendit tonë duke treguar flamurin kombëtar”, shkruan Veliaj.