Kroacia që nga 1 janari i vitit 2020 do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian të pasuar nga Finlanda

Secilit vendi anëtar u ofrohet gjashtë muaj kryesim për tu prezantuar si organizatorë dhe të japin drejtimin temave të ndërlikuara të bllokut.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grliae Radman, ka marrë përsipër të angazhohet për afrimin e rajonit me BE’në, që do të ndikojë edhe te Ballkani Perëndimor.

Siç thotë DW, ai do ta vë në lëvizje Francën që të heqë dorë nga vetoja, me të cilën ka bllokuar zgjerimin e BE’së me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo veto e papritur e Parisit në vjeshtë ishte një shok diplomatik për Gjermaninë, BE-në dhe për Kroacinë. ‘Por edhe një shok i tillë mund të jetë i dobishëm’, tha diplomati Radman për ‘Euractiv’.

Radman tutje tha se kjo do të ndihmojë në procedimin me seriozitet kur bëhet fjalë për vendime konkrete.

‘Kjo ndoshta ndihmon paksa, që ne të fokusohemi dhe të procedojmë me seriozitet, kur është fjala për vendime konkrete. Ne përpiqemi të forcojmë vetëdijen se sa i rëndësishëm është zgjerimi edhe për BE-në e jo vetëm për vendet fqinjë’, ka shtuar ai.

Kroacia do të angazhohet si ndërmjetësuese e ndershme, u shpreh kreu i saj I diplomacisë. Pika kulmore e presidencës kroate do të jetë samiti i zgjerimit më 6 dhe 7 maj në Zagreb, në të cilin duhet të skicohet rruga për daljen nga qorrsokaku.